Auditimi, kryeqyteti zero impiante për ujërat e ndotura, derdhen në lumin e Tiranës dhe Lanë
Tirana është kryeqytet ku jetojnë 800 mijë banorë dhe nuk ka asnjë impiant të trajtimit të ujërave të ndotura. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ndalet tek lumi i Lanës konstaton se ujërat e ndotura vijojnë të derdhen në këtë lumë dhe tek ai i Tiranës.
KLSH argumenton se procesi i trajtimit mjedisor të ujërave të ndotura sipas ligjit “Për trajtimin e ujërave të ndotura” synon, ndër të tjera, trajtimin e ujërave të ndotura në një fazë të mëparshme, që të mos pengojë përpunimin dhe përdorimin e mëtejshëm të ujërave të ndotura, pakësimin sa më shumë të lëvizjes së lirë të ujërave të ndotura dhe trajtimin sa më pranë burimit dhe në impiantin më të afërt, si dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit prej ujërave të ndotura dhe kufizimin e ndikimit kur ajo ndodh. Edhe pse në ligj kjo është e qartë, në praktikë në Tiranë kjo nuk aplikohet kështu.