Lidhje


Saga e vjedhjeve: Qindra milionë euro të Ballukut për akse që shemben pas inaugurimit

Shembjet e njëpasnjëshme të rrugëve të sapoinauguruara po ekspozojnë një realitet të trishtë: qeveria ka derdhur qindra milionë euro në projekte që shkatërrohen me një shi të vetëm. Nga Qukës–Qafë Plloçë te Korçë–Ersekë, nga Rruga e Arbrit te autostrada Thumanë–Kashar, historia është e njëjtë: tejkalime buxhetore, punime të dobëta dhe aksidente gati kriminale nga neglizhenca.

 

Shembja e lotit 3 të Qukës–Qafë Plloçës 9.5 km, 50 milionë dollarë, vetëm pak javë pas inaugurimit me valle nga Rama dhe Balluku, është simboli i asaj që po ndodh me investimet publike. Ajo rrugë duhej të kushtonte 25 milionë dollarë, por shumëfishimi i buxhetit e çoi faturën në 260 milionë euro për vetëm 43 kilometra. Dhe as kjo nuk mjaftoi që aksi të mos shembej nga një shi i fortë, siç paralajmëroi më herët edhe KLSH.

 

E njëjta histori përsëritet në Korçë–Ersekë, një rrugë 80 milionë euro që nisi të rrëshqasë e të pësojë krisje para se të përfundonte. Aks i ndarë në lote, me afate të shtyra pafund dhe aktualisht nën hetimin e SPAK për abuzime në tendera.

Autostrada Thumanë–Kashar, 330 milionë euro, është një tjetër shembull i rrezikut dhe papërfundimeve: hyrje-dalje të improvizuara, ujë në sipërfaqe, disnivelime të rrezikshme pranë urave dhe mungesë totale të shërbimeve sipas standardeve europiane. Një aks që më shumë ngjan me kantier të braktisur sesa me një investim strategjik.

 

Edhe Rruga e Arbrit ka të njëjtin fat: shembje, rrëshkitje, shtesa fondesh dhe afate që lëvizin pa fund. Një projekt që vazhdon të gëlltisë paratë e buxhetit, ndërsa standardet europiane mbeten vetëm në letrat e kontratave.

Një dekadë më parë, Rama premtonte se do t’i jepte fund praktikave të vjetra të rrugëve pa standarde. Sot, pas 15 vitesh pushtet, Shqipëria ka më shumë kilometra betoni të shembur se rrugë funksionale. Rrugë të kushtueshme, që zgjasin vite për t’u ndërtuar, por shemben brenda ditësh.

 

Saga e vjedhjeve në infrastrukturë nuk është më thashethem, por realitet që e shohin të gjithë: rrugë që nuk i rezistojnë motit, tendera të fryrë, afate që shkelen dhe një sistem ku qindra milionë euro zhduken, ndërsa qytetarët mbeten në trafik, në rrezik… ose brenda gropave.

XS
SM
MD
LG