AKCESK reagon për sulmin kiberenetik ndaj Institutit të Statistikave të Shqipërisë

Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë (AKCESK) ka reaguar në lidhje me sulmin e fundit kibernetik ndaj Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), transmeton Anadolu. Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e tij, AKCESK thekson se INSTAT më datë 1 shkurt 2024 u përball me një sulm kibernetik që synonte infrastrukturën e tij teknologjike. "Bazuar në informacionin e disponueshëm, aktorët që qëndrojnë pas këtij sulmi kibernetik janë identifikuar si ‘Homeland Justice’, një grup sulmi i sponsorizuar nga shteti iranian që ka kryer tashmë sulme të tjera në të kaluarën”, thuhet në deklaratë.