Autobusi me nxënës batohet në Zvërnec, nuk ka të lënduar
Një autobus me nxënës shkolle është batuar në anë të rrugës që të çon drejt Manastirit të Zvërnecit, fatmirësisht pa dëmtime në njerëz.
Sipas raportimeve të para, rruga e ngushtë ka bërë që autobusët të mos shmangeshin dot, ndërsa mjeti ka përfunduar në anësore. Fatmirësisht, shtyllat prej betoni e kanë mbajtur autobusin, duke shmangur rrëzimin e plotë të tij.
Shefi i ndërhyrjes së shpejtë në reparin Zjarrfikës në Vlorë, Luan Kapaj tha se pas marrjes së telefonatës shkuan menjëherë në vendngjarje dhe arritën të hapnin derën e autobusit.
“Shërbimi zjarrëfikës mori një telefonatë urgjence ku ktu në zonën e Zvërnecit, një autobus kishte dalë nga rruga. Autobusi ishte plotë me fëmijë, që vinin në eskursion në këto ditë të nxehta të kësaj periudhe.
Jeta e fëmijëve rrezikohej sepse autobusi kishte dalë nga rruga dhe përbënte rrezik për jetën e tyre. Menjëherë shërbimi zjarrfikës u vu në dispozicion me të gjitha mundësitë me të gjitha forcat për të bërë të mundur hapjen e derës dhe nxjerrjen e fëmijëve”, tha Kapaj.