Lidhje


Pushteti vendor/ 12 bashkitë me probleme financiare, 4 në vështirësi me borxhe

Që nga Reforma Territoriale e vitit 2015, pushteti vendor po përballet më vështirësi financiare që kanë lindur nga dobësitë në menaxhim dhe borxhet e trashëguara nga ish komunat.

 

Në vitin 2022 nga 61 bashki në të gjithë vendin 12 prej tyre ishin me probleme financiare dhe katër prej tyre ishin në vështirësi të mëdha sipas të dhënave që Kontrolli i Lartë i Shtetit që siguroi gjatë një auditi në Ministrinë e Financave.

 

Sipas të dhënave nga tabela e mëposhtme bashkitë Dimal, Cërrik, Vorë dhe Kavajë janë në vështirësi financiare pasi detyrimet e prapambetura tejkalojnë 25 % te shpenzimeve vjetore me 2022, ndërsa 8 bashkitë e tjera, Poliçan, Dibër, Tropojë, Pogradec, Devoll, Libohovë, Delvinë dhe Peqin janë me probleme financiare pasi detyrimet e prapambetura arrijnë në 15-23% të shpenzimeve totale me 2022.

 

Në gjendje më të rënduar ishte Bashkia e Kavajës detyrimet e së cilës vitin e kaluar ishin sa 65.7% e buxhetit të vitit, ndërsa në radhë vjen Bashkia e Vorës detyrimet e së cilës në vitin 2022 ishin sa 39% e shpenzimeve të vitit. Referuar ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, evidentohen katër nivele të ndryshme të rasteve të vështirësive financiare të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

 

Në nivelin e parë njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet me probleme financiare kur në një muaj të caktuar të vitit buxhetor konstatohen vonesa prej më shumë se 30 ditësh në likuidimin e detyrimeve financiare ndaj palëve të treta dhe kur detyrimet e konstatuara dhe të papaguara përbëjnë 15 për qind të shpenzimeve vjetore të miratuara.

 

Në nivelin e dytë njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet në vështirësi financiare kur vonesat në likuidimin e detyrimeve financiare ndaj palëve të treta konstatohen edhe në muajin pasues të muajit të përcaktuar dhe vlera e stokut të detyrimeve të papaguara ndaj palëve të treta rritet progresivisht mbi nivelin prej 25 për qind të shpenzimeve vjetore të miratuara. Në nivelin e tretë njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet në vështirësi serioze financiare kur borxhet afatgjata dhe detyrimet e papaguara ndaj palëve të treta përbëjnë mbi 80 për qind të shpenzimeve vjetore të miratuara, konstatimin e situatës së vështirësisë serioze financiare, 66 kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore njofton menjëherë këshillin e njësisë dhe Ministrinë e Financave.

 

Në nivelin e katërt njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet në situatën e paaftësisë paguesve nëse nuk arrin të zbatojë planin e rehabilitimit financiar dhe/ose nëse raporti i borxheve afatgjata dhe detyrimeve të papaguara ndaj shpenzimeve vjetore të miratuara është më i lartë sesa 1.3.

 

Drejtoria e Financave Vendore, për herë të parë në raportin e statusit të gjendjes financiare të vitit 2022, ka analizuar edhe situatën financiare për qarqet. Sipas raportit, për vitin 2022, 9 qarqe janë klasifikuar pa probleme financiare, qarku i Gjirokastrës është klasifikuar me probleme financiare, ndërsa qarku i Durrësit dhe Berat janë klasifikuar në vështirësi financiare.

 

Qarku Gjirokastër ka një nivel të detyrimeve të prapambetura në nivelin e 15.88% të shpenzimeve vjetore të miratuar dhe klasifikohet me probleme financiare. Situata më serioze paraqitet për qarkun Durrës, ku niveli i detyrimeve të prapambetura paraqitet në nivelin 31.86% të shpenzimeve vjetore të miratuara dhe për qarkun Berat niveli i detyrimeve të prapambetura paraqitet në nivelin 53.53% të shpenzimeve vjetor të miratuara./MONITOR

 

 


I jepte kursantëve raporte mjekësore fiktive kundrejt pagesës, arrestohet mjeku i Akademisë së Sigurisë

Mjeku i akademisë së sigurisë, A.X është arrestuar nga policia. Mjeku jepte raporte fiktive kundrejt pagesës për kursantët që të justifikonin mospjesëmarrjen në procesin mësimor.

 

Njoftimi:

 

Keqpërdorte atributet që i jepte detyra, pas hetimeve të Prokurorisë Tiranë, arrestohet mjeku A.X. i Akademisë së Sigurisë.

 

Sot më datën 14. 12.2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin Nr 2943 datë 13.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni Përgjithshëm Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. X. me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, për veprën pënale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”; “Falsifikim i dukomunteve shendetësore të parashikuar përkatësisht nga nenet 259/1188/2 të Kodit Penal.

 

Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. Xh., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjeksore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademise së Sigurisë.

 

Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore rreth 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A.X., dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjeksor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.

 

Gjithashtu, është provuar se mjeku i arrestuar kryente falsifikimin e raporteve mjeksore duke i lëshuar për studentët në kohë të mëparshme si edhe duke i lëshuar personave të tretë pa qenë prezent dhe pa u vizituar tek ai si mjek.

 

Të dhënat e hetimeve paraprake, u vlerësuan veçanërisht për shkak të rrethanave të faktit, pasojës  dhe rrezikshmërisë së veprës penale, ku kursantët që synohet të dalin në terren dhe të sigurojnë zbatimin e ligjit, edukohen në të kundërt që në embrionin e tyre profesional. Akademia e Sigurisë është vendi ku përgatiten oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të cilët në një të ardhme të afërt do të përballen me forma të ndryshme të krimit dhe do të jenë garantuesit e zbatimin e ligjit.

 

Për sa sipër, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë.

 

Burimi: Ora News


Shqiptarët më të varfrit në BE, Eurostat: Vendi me konsum dhe të ardhurat më të ulëta

Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

 

Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

 

Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa rajoni, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

 

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).

 

Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

 

Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.

 

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën.

 

Ky tregues është për Shqipërinë sa 41% e mesatares europiane. Përkeqësim ka bërë Bosnjë-Hercegovinë, ku raporti është njëlloj me Shqipërinë në 41%, nga 42% që ishte në përditësimin e parë.

 

Rekordin e mban Mali i Zi me 63%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 50%.

 

Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual, i referohet të gjitha mallrave dhe shërbimeve të konsumuara aktualisht nga familjet. Megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme, sqaron INSTAT.

 

Europa

 

Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në Bashkimin Europian patën dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 69% në 138% të mesatares së BE-së në vendet e BE-së.

 

Ashtu si në vitet e mëparshme, Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 38% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Austria dhe Gjermania (të dyja 18% më lart), Holanda (16% më lart) dhe Belgjika (15% më lart). ). Në vitin 2022, nëntë vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së.

 

Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (31% nën mesataren e BE-së), Hungari (29% më poshtë), Kroaci dhe Letoni (të dyja 24%) dhe Sllovaki (23% më poshtë).

 

Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e vendeve të BE-së. Midis viteve 2020 dhe 2022, nivelet e AIC u rritën në 18 vende të BE-së, më së shumti në Bullgari (69% e mesatares së BE-së në 2022 krahasuar me 60% në 2020), Kroaci (76% nga 69%), Rumani (86% nga 81% ), dhe Irlandë (94% nga 89%).

 

Nga ana tjetër në shtatë vende të BE-së pati rënie të niveleve të konsumit aktual individual.

 

Uljet më të mëdha u regjistruan në Danimarkë (110% në 2022 kundrejt 121% në 2020), Gjermani (118% kundrejt 124%) dhe Finlandë (109% kundrejt 114%).

 

Luksemburgu dhe Irlanda ende shënojnë PBB-në më të lartë për frymë në 2022

 

Në vitin 2022, si në vitin 2020 dhe 2021, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në PPS në BE, në 156% dhe 135% mbi mesataren e BE-së.

 

Të dhënat tregojnë dallime thelbësore midis vendeve të BE-së për sa i përket PBB-së për frymë, e përdorur për të matur aktivitetin ekonomik. Pas Luksemburgut dhe Irlandës, Danimarka (36% mbi mesataren e BE-së), Holanda (30% më lart), Austria (24% më lart) dhe Belgjika (20% më lart) vijnë në krye të listës me një PBB për frymë më shumë se 20% mbi mesataren.

 

Në të kundërt, Bullgaria (38% nën mesataren e BE-së), Greqia (33% më poshtë) dhe Sllovakia (29% më poshtë) shënuan PBB-në më të ulët për frymë./monitor

 

 


Mediat greke: Dera e BE do të jetë e mbyllur për Shqipërinë sa kohë që Beleri nuk betohet

Mediat greke i kanë kushtuar sërish një artikull marrëdhënieve mes dy qeverive dhe qëndrimeve për çështjen ‘Beleri’. “Dera e Bashkimit Europian do të jetë e mbyllur për Shqipërinë për sa kohë që Fredi Beleri nuk do të lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës, ka paralajmëruar Athina zyrtare në Bruksel”, kështu e nis artikullin gazeta Protothema artikullin e saj referuar debateve për integrimin e Shqipërisë.

 

 

Sipas media greke, “Kryeministri shqiptar Edi Rama zgjodhi ‘kundërshtarin’ e gabuar për të treguar forcën me rastin e çështjes Beleri”. Protothema në artikullin e saj shkruan se “Edi Rama, duke iu referuar gjyqësorit të ‘pavarur’ shqiptar, deklaroi me sfidë se asgjë nuk do të ndryshojë edhe nëse ‘bie i gjithë Këshilli Europian’.”

 

Ndërsa shton se gjykata, pas deklaratave publike të kreut të qeverisë shqiptare, hodhi poshtë kërkesën të hënën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie.

 

 

Ndërkohë pritet vijimi i gjyqit simulues për skemën e pretenduar të blerjes së votës”, shkruan Protothema.

 

 

Në takimet ministrore për përgatitjen e Samitit, megjithë qëndrimin e ftohtë të evropianëve, Athina shpjegoi se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e saj, siç ishte formuluar edhe me rezervën e shprehur në letrën dërguar Shqipërisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit, raporton gazeta greke.

 

Në Samitin e BE, që zhvillohet në data 14 dhe 15 dhjetor nuk pritet që të ketë një diskutim të gjerë për zgjerimin përtej vendeve të reja kandidate të Ukrainës, Moldavisë, Bosnje-Hercegovinës.

 

“Nga pala greke, nëse nevojitet dhe provokohet një diskutim, do të theksohet qëndrimi i prerë për të bllokuar Shqipërinë”, thekson më tej artikulli.

 

“Edi Rama, i inkurajuar nga qëndrimi i evropianëve që e konsiderojnë çështjen e Belerit si një çështje dypalëshe, beson se Greqia do të përkulet ndaj presionit të partnerëve të saj dhe po investon në një përballjeje ku ai mban ‘çelësin’.

 

Megjithatë, për Athinën, tani çështja Beleri, pasi qeveria zgjodhi të përfshihej aktivisht, është një çështje që ka të bëjë jo vetëm me mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, por edhe me besueshmërinë dhe prestigjin e tij në rajonin e Ballkanit.

 

Dhe kjo është arsyeja pse bllokimi i rrugës evropiane të Shqipërisë është një rrugë me një kalim”, përfundon media greke.

 

Burimi: Ora News

XS
SM
MD
LG