Rriten me shifra maramendse kostot e rrugëve/ Zgjerimi i Tiranë-Durrës 298 mln euro, dyfishohet fatura për Ndroq-Plepa e Baypass-in e Elbasanit! ‘Ngec’ projekti i Skavicës

Zgjerimi i autostradës Tiranë Durrës do të kushtojë plot 298 milionë euro dhe fatura është rritur me më shumë se 93 milionë euro nga projekti fillestar. Dyfishohet edhe vlera e projektit për rrugët Tiranë-Ndroq-Plepa dhe për baypassin e Elbasanit. Të tjera projekte infrastrukturore publikohen në Fletoren Zyrtare.Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 298.8 milionë euro. Fatura e këtij projekti është rritur nga planifikimi fillestar, ku pritej që ky zgjerim i 31 kilometrave të bëhej për 205 milionë euro. Puna për zgjerimin e autostradës nis me përfundimin e sezonit veror në 2 lotet e para kthesa Kamzës-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilët janë shpallur edhe fituesit.