Lidhje


Veseli para verdiktit: “Drejtësia vonohet, por nuk mohohet”

 

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi sot para trupit gjykues në Hagë se “drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet”, gjatë seancës së fundit para shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u zhvillua seanca përmbyllëse e procesit gjyqësor ndaj katër drejtuesve të dikurshëm të UÇK-së, të cilët paraqitën konkluzionet e tyre përfundimtare.

 

Në fjalën e tij, Veseli theksoi: “Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë ligjore”. Ai kërkoi që gjykata të mbrojë integritetin e procesit, duke shtuar: “Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë. Edhe në momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm.”

 

Veseli nënvizoi gjithashtu se pas hetimeve shumëvjeçare nuk është paraqitur asnjë provë që e lidh me krime lufte. “Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë që nuk do t’ia dëshiroja askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, u shpreh ai, duke shtuar se u kthye në Kosovë sepse nuk mund të qëndronte indiferent përballë vuajtjeve të popullit të tij.

 

Në këtë proces gjyqësor përballen me akuza për krime lufte edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katërt ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre.

 

Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa deklaratat përmbyllëse filluan më 9 shkurt. Me përfundimin e seancës së sotme, gjykimi konsiderohet i mbyllur dhe trupi gjykues pritet të shpallë vendimin brenda tre muajve. Në sallë ishin të pranishëm familjarë të të akuzuarve, si edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca.


Thaçi para verdiktit: Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal!

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet seanca e fundit para shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Katër drejtuesit e dikurshëm të UÇK-së po paraqesin sot deklaratat e tyre përfundimtare përpara trupit gjykues, në një moment vendimtar të procesit.

 

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nisi fjalën e tij me një mesazh urimi për shqiptarët me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, përpara se të artikulonte mbrojtjen e tij përfundimtare.

 

“Për gati tri vite në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm.”

 

Thaçi theksoi se në fillim të vitit 1998, kur ndodhën masakrat në Kosovë, ai ishte student në Cyrih dhe nuk kishte plane për pushtet.

 

“Në kohën e masakrave në fillimit të vitit 1998, isha student në Cyrih. Unë nuk po bëja plane si ta marr kontrollin e Kosovës, i vetmi njeri i cili po bënte plane ishte Sllobodan Millosheviçi.”

Ai u shpreh se vendimi për t’u kthyer në Kosovë ishte i motivuar nga reagimi ndaj dhunës dhe jo nga ambicie politike.

 

“Duke i parë masakrat në vendim tim nuk mund të qëndroja indiferent, vendosa të vi në Kosovë. Për këtë jam krenar dhe nuk i bëhem pishman asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave. Është ofendim dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë.”

 

Sipas tij, kundërshtari i vetëm në atë periudhë ishte presidenti i atëhershëm serb, Slobodan Millosheviç.

 

“Unë nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time e lërë më të ushtrojë kontroll. Unë u ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri”, deklaroi Thaçi, duke shtuar se kontrolli real në atë kohë ishte “në duart e hekurta të Sllobodan Millosheviçit.”


Ish-ambasadori holandez trondit: Gjykata Speciale u ngrit me mbështetjen e shërbimeve serbe

 

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, u shpreh se personalisht nuk ka qenë në një linjë me krijimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se, sipas tij, ajo u ngrit mbi baza të kontestuara.

 

Bosch deklaroi se gjatë kohës kur shërbente si ambasador ishte i detyruar ta mbështeste Gjykatën Speciale për shkak të qëndrimit zyrtar të qeverisë së tij, por në plan personal kishte rezerva. Ai argumentoi se themeli i saj ishte raporti i Dick Marty, për të cilin pretendoi se ishte hartuar me mbështetjen e shërbimeve sekrete serbe dhe se akuzat për trafikim organesh në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në veri të Shqipërisë nuk ishin konfirmuar nga hetimet e mëparshme.

 

Sipas tij, misionet ndërkombëtare si EULEX dhe UNMIK kishin zhvilluar hetime dhe kishin arritur në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për këto pretendime, megjithatë presioni i Këshilli i Evropës çoi në vijimin e procesit. Ai shtoi se hetimi në vetvete nuk është problem, por sipas tij, pasi gjyqtari Clint Williamson konstatoi se pretendimet për trafikim organesh nuk qëndronin, procesi duhej të ishte ndërprerë.

 

Bosch kundërshtoi gjithashtu pretendimin se UÇK ishte një organizatë kriminale, duke theksuar se ajo nuk kishte një strukturë të organizuar në atë formë. Ai përmendi edhe diplomatin amerikan Christopher Hill, për të cilin tha se kishte shprehur qëndrimin se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e organizuar kriminale.


Vuçiq i gatshëm për antarësimin e Serbisë në BE pa të drejtë vetoje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të pajtohej me anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian që nuk do të ishte i plotë, duke theksuar se për të më e rëndësishme është qasja në tregun e përbashkët dhe lëvizja e lirë e njerëzve.

 

Duke folur për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Vuçiq tha se anëtarësimi në BE pa të drejtën e vetos, për Serbinë është i pranueshëm.

Read more ...


Kosova në tryezën globale të paqes: Osmani merr pjesë në nismën 5 miliardë $ për Gazën

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në ceremoninë e Bordit të Paqes më 19 shkurt në Uashington, siç konfirmoi për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj Bekim Kupina. Ceremonia do të zhvillohet në Institutin për Paqe të Trumpit, ndërsa vetë Donald Trump ka njoftuar se vendet anëtare janë zotuar për mbi 5 miliardë dollarë për rindërtimin dhe ndihmën humanitare në Gazë, si dhe për angazhimin e mijëra trupave në një Forcë Ndërkombëtare Stabilizuese për garantimin e sigurisë.

 

Presidenca e Kosovës theksoi se vendi mbetet i përkushtuar të bashkëpunojë me SHBA-në dhe Bordin e Paqes për stabilitet në zonat e konfliktit, ndërsa sqaroi se Kosovës nuk i është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh. Bordi, i themeluar më 22 janar në Davos me 27 anëtarë, është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mbikëqyrë armëpushimin dhe rindërtimin në Gazë, në kuadër të planit 20-pikësh të Trumpit, të pranuar nga Izraeli dhe Hamasi në tetor 2025.

 

Eksperti i studimeve për paqe, Gëzim Visoka, vlerëson se pjesëmarrja mund t’i sjellë Kosovës përfitime diplomatike dhe hapësirë për lobim ndërkombëtar, sidomos për sa kohë vendi mbetet jashtë NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Ndërkohë, autoritetet kosovare po shqyrtojnë edhe mundësinë e kontributit të Forca e Sigurisë së Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila pritet të ketë mandat për sigurinë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

XS
SM
MD
LG