Lidhje


Vuçiç shpërthen ndaj Perëndimit: “Kosova hapi Kutinë e Pandorës së rendit botëror!”

 

Në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, reagoi me një deklaratë të fortë gjatë një interviste për mediat serbe, të dhënë në kuadër të një vizite zyrtare në Indi.

 

Vuçiç u shpreh se me njohjen e pavarësisë së Kosovës “u hap Kutia e Pandorës e padrejtësisë dhe e shkatërrimit të shteteve sovrane”, duke e cilësuar atë një precedent me pasoja të rënda globale.

 

“Është mirë të analizohet pas 18 vitesh se sa katastrofike ishin pasojat, jo vetëm për Serbinë, jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën dhe botën ato vendime tepër të gabuara,” tha ai.

 

Presidenti serb akuzoi drejtpërdrejt NATO-n, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për vendimet e marra në vitet 1999 dhe 2008, duke deklaruar se “me vendimin e të fuqishmëve, të cilët në atë kohë as nuk interesoheshin për të drejtën ndërkombëtare”, u vendos një standard i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.

 

“Ata mendonin se ishin të gjithëpushtetshëm dhe të plotfuqishëm, se ishin përfaqësues të Zotit, të cilët me mjetet, armët dhe pasurinë e tyre të madhe mund të shpërndanin drejtësi me zjarr dhe shpatë ashtu siç dëshironin,” u shpreh Vuçiç.

 

Ai shtoi se vendet që mbështetën pavarësinë e Kosovës “duhet të shpjegojnë dhe të përdorin të njëjtat argumente që përdorëm ne 18 ose 27 vjet më parë”, duke argumentuar se “fillimi i rënies së rendit botëror ishte në atë periudhë midis viteve 1999 dhe 2008”.

 

Megjithatë, Vuçiç pranoi se Serbia ka bërë edhe gabime të brendshme në vitet ’90 dhe 2000, duke përmendur “angazhimin e pamjaftueshëm” dhe “konfliktet e brendshme që prodhuan tensione”, si edhe mungesën e një lidershipi të fortë në atë kohë.

 

“Kanë kaluar 18 vjet, çdo vit po bëhet më e vështirë, por ata nuk arritën ta thyenin Serbinë,” përfundoi ai.


Vendimi afrohet: Thaçi dhe të tjerët sot përballë fjalës së fundit në Hagë

 

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës vijon këtë të mërkurë me një nga momentet më të rëndësishme të tij: paraqitjen e deklaratave përmbyllëse.

 

Në seancën e sotme do të paraqiten fillimisht përfaqësuesi i viktimave dhe ekipet mbrojtëse, ndërsa më pas fjalën do ta marrin vetë të akuzuarit – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Pas pushimit të drekës, secili prej tyre do t’i drejtohet trupit gjykues me një fjalim prej 20 minutash.

 

Në seancën përmbyllëse pritet të jetë i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca. Në seancën e fundit, pas deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, trupi gjykues dhe prokuroria u drejtuan palëve me pyetje shtesë.

 

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do të kalojë për vendimmarrje. Gjykatësit kanë afat deri në tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit. Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e katër ish-krerëve me nga 45 vite burg secilit.


Kurti kërkon gjykatë speciale për “Sarajevo Safari”: “Shtëpia e verdhë” narrativë hibride kundër UÇK-së

 

 

Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti lëshoi një mesazh të fortë politik dhe juridik, duke kërkuar themelimin e një gjykate speciale ndërkombëtare për hetimin e krimeve të njohura si “Sarajevo Safari” apo “turizmi i snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90. Sipas Kurtit, bazuar në informacione të qarkulluara ndër vite, persona të ndryshëm paguanin shuma parash për të qëlluar me snajperë civilë boshnjakë nga kodrat përreth qytetit të rrethuar, ndërsa në këtë fenomen “thuhet të ketë pasur rol” edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti theksoi se krime të tilla kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar, duke nënvizuar përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar për të mos lejuar standarde të dyfishta në trajtimin e krimeve të luftës në rajon.

 

Në të njëjtën linjë, Kurti hodhi poshtë kategorikisht narrativën e ashtuquajturës “shtëpia e verdhë” për trafikim organesh në Shqipëri, duke deklaruar se ajo “nuk ka ekzistuar kurrë” dhe se përbën një konstrukt politik e propagandistik kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Sipas tij, kjo histori është përdorur për të relativizuar krimet e kryera nga regjimi serb dhe për të njollosur luftën çlirimtare të Kosovës.

 

Duke iu referuar procesit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Kurti theksoi se gjykimi është në zhvillim dhe do të ndjekë rrugën ligjore, por ai “nuk mund dhe nuk do të ndryshojë” karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së. Sipas tij, lufta ishte përgjigje ndaj represionit sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe nuk përbënte projekt pushteti apo ambicie territoriale. Konferenca shkencore e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku u mbajt ky fjalim, synon dokumentimin e krimeve dhe thellimin e debatit akademik mbi pasojat e luftës, duke theksuar nevojën për përgjegjësi të plotë ndërkombëtare dhe trajtim të barabartë të të gjitha krimeve të kryera në Ballkan.


Prishtina në këmbë për UÇK-në! Mijëra qytetarë marshojnë me thirrjen: “Drejtësi, jo politikë!”

 

Në Prishtinë u mbajt një marshim i madh qytetar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë, paralelisht me festimet e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Marshimi u organizua nga platforma “Liria ka Emër” nën moton “Drejtësi, jo politikë!” dhe mblodhi mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova dhe trojet shqiptare, të cilët kërkuan drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK-së që përballen me akuza për krime lufte.

 

 

Pjesëmarrësit valëvitën flamuj të Kosovës dhe të UÇK-së, ndërsa sheshi “Skënderbeu” dhe rrugët qendrore u mbushën me thirrje mbështetëse dhe mesazhe si “Lufta jonë ishte e drejtë” dhe “UÇK – nderi i kombit”. Demonstruesit theksuan se lufta çlirimtare nuk mund të konsiderohet krim dhe se procesi në Hagë nuk duhet të shkëputet nga konteksti historik i luftës për liri.

 

 

Në marshim morën pjesë familjarë të të akuzuarve, veteranë, ish-luftëtarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, si dhe figura nga komuniteti kulturor dhe artistik. Organizatorët deklaruan se protesta ishte paqësore dhe synonte të dërgonte një mesazh simbolik në një ditë me ngarkesë të lartë kombëtare si 17 Shkurti. Aktiviteti u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, pa incidente, dhe u mbyll me thirrje për drejtësi të paanshme dhe respektim të sakrificës historike të luftëtarëve të UÇK-së.

 

 

Marshimi u zhvillua disa orë pas ceremonisë solemne në Kuvend dhe paradës së forcave të sigurisë, duke i dhënë 17 Shkurtit jo vetëm karakter festiv, por edhe dimension të fortë qytetar dhe politik.


Parakalimi i FSK-së në Prishtinë: Mesazh force dhe sovraniteti në 18-vjetorin e Pavarësisë

 

Sot në Prishtinë u mbajt paradë zyrtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të Policisë së Kosovës në kuadër të ceremonive për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pas përfundimit të fjalimeve në seancën solemne në Kuvend, trupat ushtarake dhe policore marshuan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, me prezencë të mjeteve ushtarake dhe pajisjeve të forcave të sigurisë, në prani të qytetarëve që ndoqën paradën. Parakalimi u mbajt në pjesën e caktuar të Prishtinës për aktivitete solemne, ku edhe figura të shquara si Rifat Jashari u pritën me duartrokitje nga qytetarët, ndërsa ceremonia u zhvillua edhe në kushte dëbore. Ky marshim është një pjesë tradicionale e festimeve të 17 Shkurtit dhe synon të tregojë gatishmërinë e institucioneve të sigurisë të vendit për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

 

 

 

 

XS
SM
MD
LG