Lidhje


Veseli para verdiktit: “Drejtësia vonohet, por nuk mohohet”

 

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi sot para trupit gjykues në Hagë se “drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet”, gjatë seancës së fundit para shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u zhvillua seanca përmbyllëse e procesit gjyqësor ndaj katër drejtuesve të dikurshëm të UÇK-së, të cilët paraqitën konkluzionet e tyre përfundimtare.

 

Në fjalën e tij, Veseli theksoi: “Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë ligjore”. Ai kërkoi që gjykata të mbrojë integritetin e procesit, duke shtuar: “Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë. Edhe në momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm.”

 

Veseli nënvizoi gjithashtu se pas hetimeve shumëvjeçare nuk është paraqitur asnjë provë që e lidh me krime lufte. “Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë që nuk do t’ia dëshiroja askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, u shpreh ai, duke shtuar se u kthye në Kosovë sepse nuk mund të qëndronte indiferent përballë vuajtjeve të popullit të tij.

 

Në këtë proces gjyqësor përballen me akuza për krime lufte edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katërt ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre.

 

Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa deklaratat përmbyllëse filluan më 9 shkurt. Me përfundimin e seancës së sotme, gjykimi konsiderohet i mbyllur dhe trupi gjykues pritet të shpallë vendimin brenda tre muajve. Në sallë ishin të pranishëm familjarë të të akuzuarve, si edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca.

XS
SM
MD
LG