Lidhje


Pak ditë para përfundimit të mandatit, Osmani takon të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për vizitën e saj të fundit në SHBA, zhvillimet politike në vend dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. Sipas njoftimit të Presidencës, në takimin që u zhvillua sot më 26.02.2026 është biseduar për takimet që Osmani ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

 

Presidentja Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm. 


Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.


Me këtë rast, Presidentja Osmani nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës.


Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.


Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit.


Raporti i BERZH: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat e reja të SHBA-së

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re tarifash prej 10 për qind për importet ndaj të gjitha shteteve, që ka hyrë në fuqi më 24 shkurt.

 

Sipas një raporti të publikuar më 26 shkurt nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Kosova renditet ndër vendet më të goditura nga këto tarifa në rajonin ku operon kjo bankë, shkruajnë mediat në Kosovë.

 

Sipas BERZH-it, tarifat e importit të SHBA-së për vendet e rajonit janë rritur mesatarisht me 0.3 pikë përqindjeje, ndërsa 29 shtete përballen tani me tarifa më të larta.

 

Rritjet më të mëdha janë regjistruar në Armeni, Egjipt, Kenia, Kosovë dhe Ukrainë.


Hartuesi i Kushtetutës, Arsim Bajrami i gatshëm si kandidat konsensual për President të Kosovës

 

Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për të garuar për president të Kosovës, duke pretenduar se i plotëson kushtet e një kandidati konsensual, në një kohë kur vendi duhe të nxitojë për ta zgjedhur presidentin e ri.

 

Kuvendi i Kosovës ka kohë vetëm deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmanit, i përfundon mandati në prill. Bajrami e kërkoi mbështetjen e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe të partive opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes një shkrimi në Facebook të enjten.

 

Ai tha se është i gatshëm të bëhet president duke qenë në dispozicion të institucioneve, të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si kandidat konsensual. “Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkroi Bajrami.

 

Bajrami – i cili është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit – duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të garuar, ndërsa dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për t’u zgjedhur.

 

Nuk është e qartë nëse ai do ta gëzonte një mbështetje të tillë.

 

Bajrami u largua nga politika më 2019, kur dha dorëheqje nga PDK-ja pas rreth dy dekadave në shërbim të kësaj partie. Deri tani vetëm PDK-ja nga partitë politike ka thënë se mund të vijë me një kandidat, por nuk ka zbuluar emër, ndërsa presidentja Osmani e ka bërë të qartë se kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar.

 

Ndërsa, anëtarë të familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, e kanë mohuar se kanë qëllim për të garuar për president, pasi ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha të mërkurën se, nëse do të vinte një emër nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

 

Mungesa e një marrëveshjeje mes partive parlamentare dhe paqartësia nëse Osmani do ta fitojë mbështetjen e nevojshme për t’i rizgjedhur, kanë bërë që vendi të rrezikojë të futet në një krizë të re. Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit para 4 marsit do të nxiste zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda muajsh.

 

Kosova u përball me krizë politike e institucionale tërë vitin 2025, që i kushtuan me mungesë fondesh ndërkombëtare e vonesa në kalimin e buxhetit për vitin e ri fiskal.

 

Bajrami e arsyetoi vetofrimin si kandidat për president duke u bazuar “në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik”.

 

Ai shtoi se veprimtaria e tij politike, juridike dhe institucionale, si dhe përvoja në negociatat ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje më 1999 dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës, e bëjnë atë po ashtu kandidat të duhur për president.

 

Gjatë karrierës së tij rreth 20-vjeçare në politikë, Bajrami shërbeu si ministër i Administratës Publike nga vitit 2008 deri më 2010, si ministër i Arsimit nga viti 2014 deri në vitin 2017, si dhe si deputet në tri legjislatura të ndryshme.

 

Ai është gjithashtu anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, asaj të Shqipërisë, si dhe i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.


Deklarata e fortë/ William Walker: Zëvendësi im koordinohej me Beogradin

 

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka treguar për tensionet që ka pasur me zëvendësin e tij francez gjatë misionit në Kosovë, Gabriel Keller, i cili më pas u emërua ambasador i Francës në Serbi.

 

Sipas Walkerit, zëvendësi i tij kishte një qasje të ndryshme për situatën në terren dhe shpesh koordinohej me autoritetet në Beograd. “Me zëvendësin tim francez kam pasur problem. Ai koordinohej me Beogradin dhe më pas u bë ambasador i Francës në Beograd. Ai mendonte që unë po tejkaloja rolin tim duke folur hapur, duke ngritur zërin”, u shpreh Walker në një intervistë dhënë për “A2CNN”.

 

Ai tregoi edhe një incident që lidhej me një deklaratë të raportuar në media, pas një vizite të zëvendësit të tij në Paris.

 

“Ka pasur një incident, kur ai shkoi në Paris dhe foli me një gazetar. Gazetari raportoi se unë nuk kisha qenë i saktë në deklaratat e mia. Kur u kthye në Prishtinë, më tha që ishte keqinterpretuar nga mediat dhe nuk kishte thënë asgjë që kundërshtonte deklaratat e mia,” rrëfeu ish-diplomati amerikan. Walker theksoi se kjo çështje nuk u sqarua kurrë plotësisht dhe se marrëdhënia mes tyre mbeti e tensionuar. “Nuk e sqarova kurrë plotësisht nëse ishte gazetari që kishte raportuar gabim apo zëvendësi im që kishte bërë deklaratë të tillë, por gjithmonë kam pasur problem me të, sepse ai mendonte se unë isha i njëanshëm. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ajo që thosha ishte e bazuar vetëm në atë që pashë: pashë një masakër, një krim lufte,” shtoi Walkeri.


Murat Jashari: Do të bëhesha President i Kosovës vetëm në një gjendje të jashtëzakonshme

 

Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova ka thënë se nuk është i interesuar të bëhet president i Kosovës, edhe pse emri i tij u përfol këto ditë nga qarqe politike, meqë më 4 prill i përfundon mandati presidentes Vjosa Osmani, derisa i riu duhet të zgjidhet më së largu deri më 4 mars.

 

“Partitë po shprehin gatishmërinë e tyre, ato po shpresojnë në këtë çështje. Unë i falënderoj që na besojnë ose më besojnë për pozita të tilla. Por ua kam bërë të qartë se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”, tha Jashari.

 

Ai ka theksuar se këtë pozitë do ta pranonte vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, teksa ka shtuar se gjithmonë është i gatshëm, nëse është nevoja të sakrifikohet për vendin.

 

“Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, ruana Zot ndonjë luftë civile, ndonjë rrezik i madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë dhe e vendit tonë, atëherë kush jam unë të mos sakrifikohem për këtë vend? Pra, unë jam gjithmonë i gatshëm, me gjithë fëmijët që m’i ka falë Zoti, të sakrifikohem për këtë vend. Ama jo ta keqpërdor emrin e familjes Jashari për pozita personale. Këto duhet t’i kuptojë opinioni i gjerë”, potencoi ai.

 

“Mes të qenit në pozita publike dhe profesionit që kam, si dhe pjesës së familjes që jam, unë i zgjedh këto të fundit. Partitë politike, ose politika nëse e përkthejmë me gjuhën tonë të bukur shqipe, i bie menaxhim i punëve publike. Pra, ata që dalin në zgjedhje e kanë për obligim, sepse marrin besimin dhe taksat e qytetarëve. Në politikë jemi për t’i menaxhuar këto dy gjëra dhe ata duhet të gjejnë zgjidhje për këtë punë, sepse e kanë besimin dhe taksat e qytetarëve”, shtoi Jashari./ Vox Kosova

XS
SM
MD
LG