Lidhje


A është krim të mbash shami? Kur laicizmi bëhet pengesë për arsimim

Vendimi për të ndaluar mbajtjen e shamisë në shkollat publike të Kosovës ka hapur një debat moral, shoqëror e politik mbi kufijtë e lirisë dhe kuptimin e laicizmit. Kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se “çdo njeri ka të drejtë të vishet si të dëshirojë, brenda etikës e respektit për të tjerët”, ngre në fakt pyetjen më themelore: a është mbajtja e shamisë një akt aq i rrezikshëm sa të përjashtohet nga arsimi? Apo është thjesht një shprehje e identitetit personal dhe fetar që shteti duhet ta garantojë, jo ta ndëshkojë?

 

Në thelb, ndalimi i shamisë është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sferën private të individit. Ai prek të drejtën themelore të besimit, të garantuar nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që Kosova vetë i njeh. Kur një vajzë e mitur përjashtohet nga shkolla për shkak të një copë pëlhure në kokë, nuk po mbrohet arsimi laik por shkelet e drejta e saj për arsimim. Kjo është një formë diskriminimi institucional, e cila fshehet pas termit “neutralitet fetar”, por në praktikë godet vetëm një grup të caktuar, vajzat muslimane.

 

Laicizmi, në thelbin e tij filozofik, nuk është armiqësi ndaj fesë; është ndarja e fesë nga shteti për të garantuar barazi. Por në rastin e Kosovës, ai po shndërrohet në një alibi për kufizim, jo për liri. Një shtet laik nuk duhet të vendosë se si duhet të vishet një qytetar për t’u quajtur “i arsimuar” apo “modern”. Përndryshe, laicizmi humbet qëllimin e tij emancipues dhe kthehet në dogmë të re një besim që përjashton në emër të mosbesimit.

 

Në një shoqëri pluraliste, edukimi duhet të përfshijë, jo të përjashtojë. Ndryshe, rrezikojmë të krijojmë një brez vajzash që, në vend që të ndihen të mirëseardhura në shkollë, e perceptojnë arsimin si një hapësirë ku identiteti i tyre ndalohet në derë. Ajo që duhet të frikësojë shtetin nuk është shamia, por injoranca që lind nga përjashtimi.

 

Në fund, mbajtja e shamisë nuk është krim. Krim është t’i mbyllësh derën e dijes një fëmije për shkak të bindjeve të tij. Dhe nëse laicizmi shndërrohet në pengesë për edukim, atëherë s’kemi të bëjmë më me laicizëm, por me një formë të re fanatizmi – atë që e quan veten të lirë, por frikësohet nga liria e tjetrit.

XS
SM
MD
LG