Lidhje


Abdi Baleta: Kush lufton Islamin në Shqipëri, i shërben shovinizmit fqinj

 

FUNKSIONI POLITIKO-SHOQËROR I ISLAMIT NDËR SHQIPTARË NUK KA NDRYSHUAR, SI SHTYLLË KRYESORE MBAJTËSE E NACIONALIZMIT SHQIPTAR

 

Nga ABDI BALETA



“Ata nuk mund të kenë sukses në djallëzitë e tyre kundër myslimanizmit në trojet shqiptare, sepse funksioni politiko-shoqëror i Islamit në këto troje nuk ka ndryshuar dhe nuk është dobësuar aspak. Funksioni dhe rëndësia e madhe e Islamit në ruajtje e përforcim të identitetit dhe të individualitetit kombëtar të shqiptarëve nuk janë zbehur, kanë mbetur ato që kanë qenë si në kohën kur shqiptarët përqafuan në masë Islamin për të shpëtuar nga asimilimi sllav e grek nëpërmjet fesë ortodokse. Pra, as tani Islami nuk ka humbur rolin e tij në përcaktimin e fizionomisë kombëtare të shqiptareve dhe dallimin e saj të qartë nga fizionomia e kombeve fqinj që duan zhbërjen e zhdukjen e kombit shqiptar në Ballkan. Jeta kombëtare e shqiptarëve ka nevojë sot e mot për vulën e pashlyeshme të Islamit, siç është vendosur gjatë shekujsh. Revanshizmi fetar në shkalle kombëtare kundër shqiptarëve është krimi më i rëndë që mund të dëshirojne e të planifikojnë kundër tyre ata që bërtasin se pa u bërë të krishterë shqiptarët nuk i do dhe nuk i pranon kush në Europë dhe nuk do të realizojnë aspiratat e tyre. Deri tani shqiptarët kanë realizuar shumë nga aspiratat e tyre edhe pse nuk u bënë të krishterë, edhe pse kanë përballuar vështirësi të tmerrshme.

 


Edhe tani, si në shekujt e kaluar, rreziku kryesor për dobësimin e zhdukjen e kombit shqiptar vjen nga armiqtë e tij shekullorë, sllavët e grekët, që duan ta zhbëjnë e ta asimilojnë dhe për këtë qëllim vazhdojnë ende të përdorin fenë si armë lufte etnike dhe agresioni etnologjik. Burrat më të shquar në historinë shqiptare dhe historinë e mendimit politik shqiptar e kanë shpjeguar qartë me kohë se cilët janë armiqtë kryesore të kombit shqiptar edhe në ditët e sotme.

 


Dashamirja e madhe angleze e kombit shqiptar, Edit Durham në veprën e saj të njohur “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” ka lënë një dëshmi me shumë vlerë për mendimet e Abatit të Mirditës, Prend Doçi. Ajo ka lënë të shkruar thelbin e një bisede të tillë me të: “Fliste me mençuri. Nga lartësitë e atij vendi qëndronim e vështronim Shqipërinë; vargmale njëri pas tjetrit si valët e gurta të një deti të madh, që zgjatoheshin e rrokulliseshin drejt një horizonti mrekullisht të kaltërt dhe humbisnin më në fund në qiell tutje, në një largesi të kuqërremtë të zbetë. Dhe ai i shtrinte duart drejt horizontit plot krenari e entuziazëm. Ai thoshte se të punosh kundër turkut tani është gabim. Turku nuk është armiku më i egër i Shqipërisë. Vendi vërtet kishte vuajtur tmerrësisht nga turku, por Shqipëria nuk vdiq. Përkundrazi. Ndërsa tani ishte një armik tjetër, madje shumë në i egër se turku, një armik që po forcohej dita-ditës. Ky armik ishte sllavi. Rusia, me kishën e saj fanatike dhe me bandat e saj të egra serbe e bullgare ishte gati të shkretonte Shqipërinë dhe t’i zhdukte njëherësh katolike e myslimanë bashkë”.

 


Edhe poeti kombëtar At Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë” ka shpjeguar qartë se qysh në kohën e Rilindjes Kombëtare shqiptare osmanët kishin pushuar së qeni armiku më i egër i shqiptarëve dhe mund të ishin objektivisht edhe aleati tyre për të perballuar armikun kryesor historik, sllavët e grekët.

 


Edhe tani gjendja kërcënuese për shqiptarët në Ballkan është pikërisht ashtu siç ia ka përshkruar Abati i Mirditës, Prend Doçi, anglezes Edit Durham, siç e ka paraqitur At Fishta në “Lahuta e Malcisë”. Kurse katolikocentristët mendojnë e propagandojnë të kundërtën e kësaj që na mësojnë këta klerikë të shquar katolikë, si në punë feje dhe në punë politike e atdhetarie.

 


Katolikocentristët perpiqen të heshtin sa më shumë për këta dhe t’u referohen mendimeve të priftit italian Fulvio Kordinjano, të paraardhësit të Doçit në krye te Abacisë së Mirditës, Gaspër Krasniqit, i cili sikurse e ka shpjeguar historiani nga Kosova, Sadulla Brestovci, në studimin mbi marrëdhëniet e shqiptarëve me malazezët në shekullin e XIX ishte agjent i politikës serbe në Shqipëri dhe paguhej nga serbët qysh në kohën e Ilia Garashaninit, autorit të “Naçertanies” famëkege serbe.

 


Ashtu si në shekujt e kaluar, e ndoshta tani edhe më shumë, katolikocentrizmi universalist vepron si pykë fetare-politike për të çarë trungun e fizionomisë kombëtare të shqiptarëve.

 


Prandaj themi se katolikocentrizmi është vënë në shërbim të kristosllavizmit dhe të kishës ortodokse greke, veprimtaria e së cilës në Shqipëri tani njihet si “janullatizëm”.
Edhe sikur në mjedise të caktuara europiane të mos na duan, meqënëse jemi në shumicën dërrmuese të besimit islam, përsëri nuk ka asnjë logjikë të shëndoshë, asnjë arsye bindëse në thirrjet për të ndërruar masivisht fenë nën komandën e dikujt, si të ishim kope njerëzish të egër dhe jo komb i formuar me kohë e me vetëdije të lartë. Një konvertim masiv i shqiptarëve në krishterim nuk do t’u sillte dobi, por telashe më të mëdha si të konvertuarve të tanishëm dhe brezave që do të vijnë pas tyre. Një konvertim i tillë nuk do t’i bënte më të dashur sesa janë tani shqiptarët për Europën, e cila në fund të fundit qëndrimet e saj i mbështet në logjikën politike shumë më tepër se në dogmat e fanatizmin fetar të krishterë. Europa e përdor më shumë fenë për politike sesa politikën për punë feje. Konvertimi i shqiptarëve në krishterim do t’i kthente sërish trojet shqiptare në fushë betejash për ekspansion fetar, politik, territorial, etnik midis katolicizmit e ortodoksisë, midis sllavëve, grekëve dhe italianëve e aleatëve të tyre.
Prandaj ruajtja e Islamit në trojet shqiptare ka rëndësi jetike për ruajtjen e identitetit dhe individualitetit kombëtar shqiptar.

 


Europa duhet të na pranojë si pjesë të saj me individualitetin tonë, jo të na trajtojë si “ushqim etnik” për kombe dhe shtete të tjerë në Ballkan. Prandaj nacionalist shqiptar është ai që e mbron, jo ai që e lufton besimin islam në Shqipëri. Kush kërkon shkatërrimin e Islamit në trojet shqiptare kthehet në mercenar i nacional-shovinizmave fqinj. Në Shqipëri ka vend vetëm për një nacionalizëm, për nacionalizmin shqiptar. Në Shqipëri nuk ka ekzistuar “nacionalizem fetar”, si në Serbi apo Greqi, dhe nuk duhet të ekzistojë. “Nacionalizmi fetar” është atavizëm mesjetar i shoqërisë dhe i shetit teokratik. Ata që në Shqipëri sajojnë “nacional-islamizëm shqiptar” janë zhytur kokë e këmbë në batakun e politikave dhe të propagandave të huaja antishqiptare, bëjnë punën e nacional-shovinistëve dhe fondamentalistëve grekë, serbë, italianë, ortodoksë e katolikë. Këta spekulues me politikën, fenë, termat, me tezat për “nacional-islamizmin shqiptar” synojnë që edhe nacionalizmin shqiptar ta shkërmoqin, ta copëtojnë, siç janë copëtuar trojet shqiptare, siç është copëtuar kombi shqiptar. Ata përpiqen të sajojnë edhe “nacionalizëm shqiptar ortodoks”, edhe “nacionalizëm shqiptar katolik” dhe pastaj secili “nacionalizëm shqiptar” me një xhybe të tillë fetare të shkojë pas nacionalizmave të huaj me të njëjtën ngjyrim fetar.

 


Pra, këta myteberë të propagandës fetare-jezuite dhe politikës sllavo-greke në Shqipëri duan që me nacionalizmin të veprojnë ashtu siç vepronte pushteti e doktrina komuniste me ideologjinë, të vënë lidhje ndërkombëtare me ngjyrimin përkatës mbi ngiyrimin nacionalist shqiptar. Teza të tilla, që synojnë të zëvendësojnë nacionalizmin me fenë, e kanë burimin qysh nga debatet e vitit 1992, kur disa shkrimtarë politikanë të Shqipërisë tentonin ta barazonin nacionalizmin me ideologjinë. Imzot Rrok Mirdita ngul këmbë se “feja kurrsesi nuk duhet trajtuar si ideologji”. Aq më pak mund të trajtohet nacionalizmi si ideologji.

 


Prandaj edhe klerikët e besimtarët katolikë nuk duhet të qëndrojnë të painteresuar kur njerëz, që kanë kaluar nëpër farkën jezuite në Romë, sajojnë “nacional-islamizmin shgiptar”, kur veprimtarë laikë të katolikocentrizmit në Shqipëri hedhin në sup trajsen me palo-shkrime kundër “nacional-islamizmit shqiptar” dhe i shpërndajnë falas si Biblën.
Të tre besimet kryesore fetare në Shqipëri janë elementë të domosdoshëm dhe përfaqësues të nacionalizmit shqiptar, margaritarë të madhësive të ndryshme në fizionominë e këtij nacionalizmi. Por ky rregull i pranueshëm dhe i pranuar nga shumica myslimane e kombit shqiptar vepron me dobi deri në çastin kur nuk spekulohet me të, kur feja nuk keqpërdoret nga internacionalizmat fetarë dhe ideologjikë ose nacionalizmat e huaj që duan të demtojnë nacionalizmin dhe kombin shqiptar. Duan apo nuk duan disa, myslimanizmi në Shqipëri dhe ndër shqiptarët në përgjithësi është elementi thelbësor e themelor i nacionalizmit shqiptar. Janë të papranueshme jo vetëm idetë e fanatikëve të krishterë për të mohuar apo përmbysur këtë realitet sipas orekseve të internacionalizmave fetare apo nacionalizmave fetare katolikë e ortodoksë, por edhe mendësite që mund të shfaqen tek besimtarë islamë se intenacionalizmi e vëllazërimi islam duhet të vihet mbi nacionalizmin shqiptar. Por mbi të gjitha, tani janë provokuese tezat broçkulla për “nacional-islamizmin shqiptar”, që i përhapin shërbetorët e katolikocentrizmit universalist jezuit.

 


Për të tilla arsye shkrimi i Oriana Falaçit merr edhe më shumë ngiyrat e një terrorizmi intelektual ndaj shqiptarëve, sepse, veç të tjerave, përdoret nga ata që duan të shkatërrojnë Islamin, shtyllën mbajtëse kryesore të nacionalizmit shqiptar. Kjo është një ndër arsyet kryesore që mendojmë se duhet kundërshtuar shkrimi i Oriana Falaçit dhe jehona që po i jepet ketij shkrimi në Shqipëri.

 


Polemikat që kemi bërë dhe po bëjmë rreth këtyre problemeve nuk janë as “nacionalizëm mysliman shqiptar”, as “antiamerikanizëm”, as zbavitje intelektuale. Këto polemika ne i konsiderojmë si përmbushje të një detyre qytetare e atdhetare në të mirë të Shqipërisë e të shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG