Lidhje


Një Sinjal Alarmi për të Drejtat e Punonjësve dhe Harmoninë Fetare në Shqipëri

Nga av. Dorina Lamaj 
 
 
Ngjarja e rëndë që ka ndodhur në zyrat e ASHK-së, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë është një sinjal alarmi që nuk mund të injorohet.
 
Sipas informacioneve të bëra publike, punonjësit e këtij institucioni janë detyruar të paraqiten në punë në ditën zyrtare të festës së Kurban Bajramit, në kundërshtim të hapur me ligjin. Më shqetësues akoma, është përdorimi i një gjuhe fyese dhe islamofobe që kjo nëpunëse iu drejtohet punonjësve.
 
Pretendimet e ngritura ndaj shefes së sektorit, znj. Esmeralda Prenga, për shkelje ligjore dhe fyerje me përmbajtje islamofobe, nuk janë thjesht një çështje administrative ato janë një çështje e drejtësisë, e dinjitetit njerëzor dhe e vetë strukturës së shtetit të së drejtës.
Veprimet e kryera nga nëpunësja në fjalë duke u shoqëruar me presion psikologjik dhe kërcënime për humbje të ditës së punës, në shkelje të ligjit dhe shpërdorim i pozitës zyrtare, atëherë këtu kemi të bëjmë me abuzim të autoritetit dhe intimidim institucional.
 
 
Në këtë kontekst, veprimet e shefes së sektorit, bien në përputhje të plotë me përkufizimin që jep neni 248 i Kodit Penal për "Shpërdorim të detyrës".
Neni 248 Shpërdorimi i detyrës.
 
 
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
 
 
Ky nen dënon çdo punonjës publik që, duke shkelur me dashje ligjin dhe duke tejkaluar kompetencat, cenon interesat ligjore të shtetasve apo të institucioneve. Në rastin konkret, janë cenuar të drejtat e punonjësve, është shkelur Kodi i Punës dhe është prekur rëndë e Drejta Kushtetuese për lirinë fetare dhe dinjitetin personal.
 
 
Shkelje flagrante e Kodit të Punës dhe e të drejtave të punonjësve.
 
 
Neni 86. Ditët e festave zyrtare.
 
 
1.Si rregull ndalohet puna në ditët e festave zyrtare.
2.Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare. Kur dita e festës zyrtare bie në ditët e pushimit
javor, pushimi shtyhet ditën e hënë.
3.Përjashtimet për të punuar në ditët e festave zyrtare përcaktohen me VKM
ose në kontratën kolektive.
Neni 87 Puna në ditën e diel ose në ditët e festave zyrtare.
Pika 2. Puna e kryer në ditët e festive zyrtare, kur ato bien ditë pune, kompensohet me një shtesë
mbi pagë, jo më pak se 25 për qind dhe me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer në ditët e festave zyrtare.
 
 
Pra, sipas dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, ndalohet puna në ditët e festave zyrtare, por nëse punonjësi detyrohet të punojë në ditët e pushimit zyrtar, ai duhet të marrë shpërblim të dyfishtë ose një ditë pushimi kompensuese.
 
 
Por në rastin konkret, sipas dëshmive, punonjësit janë detyruar të paraqiten në punë, në kundërshtim me ligjin, nën presion dhe kërcënim me sanksione disiplinore kjo përbën jo vetëm abuzim me detyrën, por edhe një formë të qartë të shfrytëzimit institucional.
Liria e fesë dhe dinjiteti njerëzor janë të paprekshëm
 
 
Neni 10 i Kushtetutes së Republikës së Shqipërisë.
 
 
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes
së tyre në jetën publike
Neni 18
 
 
1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja,
etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose
përkatësia prindërore
 
 
Neni 24
 
 
1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit fetar. Askush nuk mund të detyrohet të braktisë praktikat fetare për shkak të detyrimeve të imponuara në mënyrë të paligjshme.
 
 
Përçmim institucional ndaj besimit fetar.
 
 
Përtej shkeljeve administrative dhe ligjore, ajo që e bën këtë rast veçanërisht të rëndë është gjuha e përdorur nga përfaqësuesja e shtetit.
Kjo nuk është thjesht një çështje morali ose kulture, është një akt i dënueshëm me ligj.
 
 
Precedentë të tillë që përçajnë dhe nxisin urrejtje fetare jo vetëm që janë të papranueshëm, por përbëjnë edhe vepër penale sipas nenit 265 të Kodit Penal, që dënon nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes mbi baza fetare.
 
 
Neni 265 Nxitja e urrejtjes ose grindjeve. Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla, e kryer me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Administrata publike nuk është pronë private.
 
 
Asnjë drejtues sektori, sado kompetent të jetë, nuk ka të drejtë të vendosë mbi të drejtat kushtetuese të qytetarëve dhe punonjësve. Institucionet shtetërore nuk janë kompani private, dhe aq më pak arenë për të shfryrë frustrime personale mbi nëpunësit që kërkojnë vetëm të respektojnë ligjin dhe të jetojnë në dinjitet.
Kërkimi llogarie ndaj kësaj ngjarjeje është një domosdoshmëri qytetare dhe shtetformuese për të parandaluar që administrata publike të kthehet në një mjet presioni, përçmimi dhe arbitrariteti.
 
 
Cënimi i harmonisë fetare, në vijë të kuqe për shoqërinë shqiptare.
 
 
Fyerja me përmbajtje fetare nuk është thjesht një fyerje personale, është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të njeriut, e barazisë përpara ligjit, dhe një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.
 
 
Përdorimi i gjuhës fyese, poshtëruese dhe islamofobe, duke prekur në mënyrë të papranueshme ndjenjat dhe besimin fetar të nëpunësve, janë jo vetëm të turpshme për një zyrtare shtetërore, por përbëjnë një akt të rëndë diskriminimi dhe nxitjeje të urrejtjes fetare, që cënon themelet e bashkëjetesës në Shqipëri.
Shqipëria është një vend që ka ndërtuar identitetin e vet mbi bashkëjetesën fetare, respektin dhe tolerancën, të trashëguar brez pas brezi. Ky është një thesar kombëtar, që nuk duhet cënuar nga individë të cilët nuk e kuptojnë rolin që mbajnë në administratën publike.
 
 
Shqipëria është një vend që krenohet me bashkëjetesën fetare, e cila është vlerësuar ndërkombëtarit si model i harmonisë dhe i paqes ndër fetare.
 
 
Gjuha fyese ndaj një komuniteti fetar është e papranueshme në çdo rrethanë, por ajo bëhet dyfish më e rrezikshme kur vjen nga goja e një nëpunësi të shtetit.
Heshtja institucionale është bashkëfajësi.
 
 
Nëse kjo çështje mbyllet me një "qortim të brendshëm" ose harrohet pas disa ditësh zhurme mediatike, atëherë do të jemi përballë një bashkëfajësie të heshtur institucionale, që e shndërron çdo qytetar të zakonshëm në viktimë potenciale të arrogancës shtetërore. Administrata publike nuk është fushë eksperimentale për frustrime ideologjike apo fetare të zyrtarëve.
 
 
Nëse një zyrtar mund të shkelë ligjin, të fyejë fenë e një komuniteti dhe të mos mbajë asnjë përgjegjësi, atëherë kemi hyrë në një rrugë ku shteti është kthyer në një instrument abuzimi, jo në një garantues të të drejtave.
 
 
Kjo nuk është një çështje që i përket vetëm besimtarëve myslimanë.
 
 
Kjo është një çështje e çdo qytetari shqiptar, i cili beson në barazi, dinjitet dhe ligj. Sepse nëse lejojmë që një punonjës të nëpërkëmbet për shkak të fesë së tij sot, nesër do të jetë dikush tjetër për shkak të bindjeve politike, përkatësisë krahinore, etj.
 
 
Sepse vetëm kështu ne do të kemi institucione që i shërbejnë qytetarit. Vetëm kështu do të kemi një shtet që nuk mbron abuzuesit, por punonjësit. Dhe vetëm kështu do të ruajmë atë që kemi më të çmuar; respektin ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht fesë, bindjeve apo origjinës.
 
 
Kërkesa për veprim urgjent dhe të hapur.
 
 
Kërkohet një reagim institucional i menjëhershëm dhe shembullor:
 
 
Inspektorati Shtetëror i Punës duhet të verifikojë menjëherë shkeljet e Kodit të Punës.
 
 
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë të nisi menjëherë hetimin administrativ dhe penal mbi këtë ngjarje duke hetuar për shpërdorim detyre dhe nxitje të urrejtjes.
Drejtoria e Përgjithshme e ASHK-së duhet të distancohen publikisht dhe të ndëshkojnë veprime të tilla për të garantuar etikën në administratë.
 
 
E vërteta duhet të zbardhet. Ligji duhet të vihet në zbatim dhe përgjegjësi, nëse provohet faji, duhet të mbajë peshën që ligji parashikon.
 
 
Është koha për të treguar se ligji është më i fortë se arroganca.
XS
SM
MD
LG