“Kali i Trojës” i Izraelit: Si po përdoret islamofobia për të pushtuar politikisht Evropën
Andreas Krieg
Duke e kthyer Islamofobinë në një instrument strategjik, Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik. Kjo qasje po fuqizon qëllimisht ekstremizmin e djathtë për të siguruar mbështetjen perëndimore ndaj Izraelit.
Ministri izraelit i Çështjeve të Diasporës, Amichai Chikli, e ka shpjeguar strategjinë e vet më hapur se ç’do ta kishte bërë çdo kritik i tij. Antisemitizmi, i tha ai një gazetari në një intervistë, nuk i intereson dhe aq evropianit apo amerikanit mesatar, ndërsa frika nga “islami radikal” i intereson “shumë, ama shumë” dhe prandaj Izraeli duhet “ta shfrytëzojë këtë”.
Ja pra një ministër i lartë i kabinetit që pranon se Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës me të cilin Izraeli synon të pushtojë zemrat dhe mendjet e evropianëve e të amerikanëve.
Ky është edhe rrëfimi më i qartë i deritanishëm se në çfarë është shndërruar ministria e tij nën Benjamin Netanyahun; një zyrë që dikur ekzistonte për të mbrojtur komunitetet hebraike jashtë vendit, por që sot punon për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik për qeverinë izraelite.
Ministria e tij u ngrit pikërisht për të bërë të kundërtën.
Çështjet e diasporës nënkuptonin mbështetje për komunitetet hebraike, udhëheqje sipas porosisë së tyre dhe mbrojtje ndaj forcave që me të vërtetë i kërcënojnë. Por, ndërsa paraardhësit e tij pyesnin se çfarë do t’i mbante hebrenjtë të sigurt, Chikli pyet se cila narrativë mund të shndërrohet në armë për ta bërë shitjen më të lehtë. Argumenti më efikas i shitjes, ka arritur ai në përfundim, nuk është aspak Izraeli, por frika nga dikush tjetër.
Një luftë qytetërimesh
Që nga gjenocidi i tij në Gaza, argumenti i vjetër për Izraelin, falë meritave të veta, është bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u mbajtur dhe në vend të tij është futur një tjetër. Mbështeteni Izraelin, thotë ky argument, sepse Izraeli po lufton kundër atyre që nesër do të trokasin në derën juaj.
Në këtë narrativë, Izraeli kthehet në bazën e përparme operative të një lufte qytetërimesh, në kufirin e asaj që Chikli, në një intervistë të vitit 2024 për Jewish Insider, e quajti “bota judeo-kristiane”, e vënë përballë një “aleance të kuqe e të gjelbër” mes së majtës progresiste dhe Islamit.
Ai qëllimisht e bën të paqartë vijën ndarëse midis përballjes me grupet e dhunshme dhe Islamit, duke iu qepur manualit të populizmit të ekstremit të djathtë, i cili është në ngjitje anembanë Perëndimit.
Këtë e tregon më së miri shoqëria që ka.
Chikli i ka bërë lajka Partisë së Bashkimit Kombëtar të Marine Le Penit në Francë, partisë spanjolle të ekstremit të djathtë Vox, Demokratëve Suedezë dhe populistit holandez Geert Wilders, ku secila prej tyre është parti e ndërtuar mbi armiqësinë ndaj emigracionit dhe ndaj Islamit.
Paradoksalisht, ministria e projektuar për t’i mbrojtur hebrenjtë nga antisemitizmi është kthyer në një ministri subversive, që pjek pikërisht atë audiencë dhe ato rrjete të ekstremit të djathtë që kanë qenë në ballë të urrejtjes ndaj hebrenjve në mbarë botën.
Në tetor 2025, pak ditë pasi dy hebrenj u vranë, njëri prej tyre nga policia gjatë ndërhyrjes së armatosur para një sinagoge në Mançester ditën e Jom Kipurit, Chikli ftoi në Izrael agjitatorin anglez Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, i cili gjatë dy dekadave të fundit ka grumbulluar disa dënime penale e vite burgu. Ai e brohoriti atë si “udhëheqës të guximshëm në vijën e parë kundër Islamit radikal”.
Ata që protestuan atëherë kundër vizitës së tij nuk ishin nga e majta progresiste të cilën Chiklit i pëlqen ta fajësojë, por ihin vetë hebrenjtë britanikë.
Bordi i Deputetëve të Hebrenjve Britanikë dhe Këshilli i Udhëheqjes Hebraike e quajtën Robinsonin “kriminel që përfaqëson më të keqen e Britanisë”, ndërsa Chiklin e hodhën poshtë si “ministër i diasporës vetëm me emër”, i cili e kishte shpërfillur komunitetin të cilit pretendon se i shërben. Hebrenjtë në emër të të cilëve ai pretendon se vepron nuk deshën të kenë asnjë hise në këtë ndërmarrje.
Një paragjykim në dy petka
Ajo që ndjekësve të Chiklit shpesh u shpëton është se antisemitizmi dhe Islamofobia nuk konkurrojnë për një racion të caktuar simpatie publike. Ato janë i njëjti paragjykim në dy petka të ndryshme. Secili prej tyre mbështetet mbi të njëjtën premisë se një pakicë mund të gjykohet, të shihet me frikë dhe të përjashtohet për shkak të fesë së vet.
Prandaj, një fushatë serioze kundër antisemitizmit do ta zgjeronte tabunë ndaj demonizimit të kujtdo qoftë, sepse ajo tabu është e vetmja gjë që i ka mbajtur ndonjëherë hebrenjtë të sigurt.
Në vend të kësaj, Chikli po e ngushton atë. Pazari i tij e fton pakicën e vet ta blejë iluzionin e një sigurie të vogël, duke ia dhënë veten me qira forcave që po grumbullohen kundër një pakice tjetër.
Historia nuk ka qenë kurrë e mëshirshme me pazaret që bëhen me fashistët. Pakicat rrallë lulëzojnë kur një shoqëri nis të radhitet sipas kriterit se kush i përket vërtet asaj dhe lëvizja që sot i ka në shënjestër muslimanët nuk ka asnjë arsye të ndalet me kaq.
Traditat e ekstremit të djathtë evropian e kanë zakon të kthehen sërish kundër hebrenjve. Robinsoni e vërtetoi këtë brenda së njëjtës javë, kur u lëshua në internet kundër “hebrenjve elitarë”. Armiku i gogolit tim del se prapëseprapë mbetet armiku im.
Pastaj vijnë vlerat që ai pretendon se i mbron. Chikli e paraqet Izraelin si kujdestar të “qytetërimit judeo-kristian”, të së vërtetës, të lirisë së zgjedhjes dhe të dinjitetit njerëzor. Mjafton ta gjykojmë me atë që thotë vetë dhe gjithçka i bie poshtë. Një shtet nuk mund të predikojë shenjtërinë e qytetërimit, ndërkohë që normalizon dehumanizimin dhe masakrimin masiv të palestinezëve. Nuk mund ta ngrejë flamurin e lirisë fetare, ndërkohë që ushqen lëvizje që jetojnë e frymojnë vetëm nga dyshimi ndaj një feje tjetër.
“Ministria e Subversionit” e Izraelit sot qëndron më afër një Evrope iliberale e nacionaliste sesa rendit liberal që dikur e bëri të sigurt jetën hebraike në diasporë.
Idiotët e dobishëm
Ndërkaq, ata që gjenden në ekstremin e djathtë evropian janë më shumë se sa thjesht idiotë të dobishëm në duart e Izraelit. Populistët e Evropës fitojnë prej kësaj një kapital që nuk blihet me para – një përkrahje hebraike që u shërben si mburojë ndaj akuzës për antisemitizëm dhe u lejon ta veshin armiqësinë ndaj muslimanëve si realizëm i thjeshtë.
Qeveria e Netanyahut, nga ana e vet, siguron politikanë që do ta mbrojnë luftën e saj në Gaza dhe do t’i dalin kundër çdo zëri që mbron çështjen palestineze.
Në intervistën e tij, Chikli nuk u kërkoi evropianëve ta luftojnë antisemitizmin, por thjesht ta ndërrojnë një frikë me një tjetër, duke i dhënë Evropës atë që kërkon prej kohësh; një “tjetër” përballë të cilit ta përcaktojë veten.
Dhe u kërkon hebrenjve ta dorëzojnë sigurinë e vet pikërisht te politika e dyshimit kolektiv, pra te ajo politikë që historia e tyre duhej t’ia kishte mësuar Perëndimit ta kishte tmerr.
Askush nuk e ka mundur kurrë urrejtjen ndaj një populli duke ushqyer ndaj një tjetri./ Middle East Eye