Lidhje


Kur pushteti, media dhe biznesi flasin me të njëjtën gjuhë, atë të Edi Ramës

Asnjë ngjarje në kontekstin shqiptar nuk duhen parë të ndara, por si pjesë e një tabloje më të madhe e ndoshta jo aq të komplikuar. Deklarata e biznesmenit Gjergj Luca në "Top Story"-n e Grida Dumës, ku ai rrëfen se komentet negative dhe publikimet në internet i kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe se madje kanë sjellë verifikime nga autoritete të huaja, nuk është thjesht historia e një biznesmeni. Ajo bëhet interesante kur vendoset në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

 

Prej javësh, protesta qytetare ka ndezur arenën politike dhe mediatike shqiptare, një shpurë analistësh dhe drejtuesish mediatik, të cilët po përpiqen të "pastrojnë" imazhin e një pushteti tashmë të kalbur, janë bërë avokati mbrojtës i të njejtit pushtet për shkak të të cilit është mbledhur protesta. Kuptohet kjo nuk është çështje se nga çfarë kahu "i reh atyre zemra" por në çfarë monedhe i punon bankomati.

 

Por ajo që ngre pikëpyetje është reagimi i menjëhershëm institucional. Deklaratat publike të drejtuesit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, rreth asaj se komentet apo ato që quhen google reviews ndaj disa bizneseve kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë por për hetimin e rasteve të tilla dhe paralajmërimet për pasoja ligjore krijojnë përshtypjen se shteti është mobilizuar me shpejtësi të pazakontë kur në qendër të debatit janë biznese me profil të lartë.

 

Kjo ngre një pyetje legjitime: a veprojnë institucionet me të njëjtin intensitet edhe kur qytetarë të zakonshëm, gazetarë apo aktivistë përballen me fushata shpifëse, kërcënime ose linçim online?

 

Në demokraci nuk është problem që një biznesmen të mbrojë interesin e tij. Nuk është problem që një gazetare të intervistojë kë të dëshirojë. Nuk është problem as që policia të zbatojë ligjin. Problemi lind kur këto zëra, pavarësisht roleve të ndryshme, fillojnë të prodhojnë të njëjtën narrativë, në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin objektiv.

 

Brenda pak ditësh, opinioni publik pa një seri deklaratash që lëviznin në të njëjtin drejtim: biznesmeni Gjergj Luca foli për dëmin që sipas tij i shkaktojnë komentet negative dhe fushatat online, drejtuesi i Policisë paralajmëroi hetime për sulmet e koordinuara në internet, ndërkohë televizione kombëtare si TopChannel e ngritën çështjen në qendër të debatit publik.

 

Secila prej këtyre deklaratave, marrë veçmas, është legjitime. Por kur ato vendosen njëra pranë tjetrës, lind një pyetje politike: a kemi të bëjmë me një rastësi, apo me një sinkronizim narrativash që prodhojnë një efekt të caktuar në opinionin publik?

 

Në një demokraci, protesta nuk matet vetëm nga zhurma në shesh. Ajo shfaqet edhe në mënyrën si konsumatorët zgjedhin të mos blejnë, të mos frekuentojnë një biznes apo të shprehin pakënaqësinë e tyre në platformat online. Kufiri mes lirisë së shprehjes dhe dëmtimit të organizuar është një debat që duhet zhvilluar me kujdes dhe mbi bazën e ligjit, jo të interesave. Po aq e rëndësishme është që shteti të mos krijojë perceptimin se ndërhyn vetëm kur preken aktorë ekonomikë me ndikim, aq më tepër kur këta aktorë janë akuzuar si paterica të pushtetit, ndërsa reagimi është shumë më i vakët për hallet e qytetarëve të zakonshëm. Ato halle që vetëm platforma e protestës po i jep zë. 

 

Çështja nuk është vetëm te Google Reviews, komentet apo rrjetet sociale. Çështja është shumë më e madhe: nëse qytetarët besojnë se politika, një pjesë e biznesit dhe një pjesë e medias veprojnë gjithmonë në të njëjtin drejtim, atëherë problemi kryesor nuk janë komentet në internet. Problemi është kriza e besimit te barazia para ligjit dhe te pavarësia e institucioneve. Teksa tashmë është e qartë se pas çdo sinkronizmi qëndron një regji, e njëjta që i shau dhe ofendoi shqiptarët e njejta që paguan koncerte të shtrenjta të panjohuirsh teksa në të njejtën kohë në spitale nuk ka as ilaçe as aparatura.

XS
SM
MD
LG