Vrima e fundit e Kavallit
Nga Fatmir Baci
“Je vrima e fundit e kavallit”, thotë shprehja e vjetër shqipe, për të treguar dikë pa peshë, pa zë e pa ndikim. Dhe kush ta thotë këtë? Dikush që ndjehet një apo disa vrima më sipër në kavallin e hierarkisë, pak më afër fishkëllimës së mbretit. Koha, me shpikjet e saj administrative dhe me talentin për ta kthyer njeriun në mobilje zyre, nuk ka mundur ta çrrënjosë dëshirën e tij për karrierë, për të qenë edhe ai një vrimë kavalli.
Madje, kam përshtypjen se koha moderne vetëm sa i ka shtuar një kapitull të ri kësaj urtësie. Sot nuk ka më rëndësi nëse je vrima e parë, e mesit apo e fundit; rëndësi ka që ke zgjedhur të jesh vrimë, e ndien veten të privilegjuar si vrimë kavalli dhe e sheh përparimin si zhvendosje disa centimetra më afër grykës së kavallit.
Kjo është drama e vogël dhe e lashtë e njeriut brenda hierarkive, me kavall apo pa kavall, sidomos aty ku administrata shtetërore ndërton mbretëritë e saj prej zyrash, vulash, dosjesh të pluhurosura dhe karrigesh që pjellin pushtet imagjinar. Njeriu hyn aty si qytetar i zakonshëm dhe, pas pak, e gjen veten duke matur madhështinë personale me thellësinë e vrimës së kavallit që i ka rënë për pjesë. Në thelb, ai po kryen vetëm një rit të vjetër sa vetë kujtesa njerëzore; kërkon vendin e vet në rendin e vrimave të kavallit, asgjë më shumë. Dikur ky vend kërkohej pranë zjarrit të fisit, më vonë pranë fronit, ndërsa burokracitë e sotme e ofrojnë këtë shërbim pranë derës së drejtorit dhe tavolinës ku vulosen letrat e të gjitha niveleve.
Ujërat vazhdojnë të rrjedhin nëpër të njëjtët shtretër si në kohët e vjetra; bashkë me to rrjedhin edhe dëshirat e njeriut, që zhurisin po me të njëjtin tingull, edhe pse format e pushtetit kanë ndryshuar. Andaj, synimi për të zënë një vend të dallueshëm në renditjen e vrimave të kavallit mbetet i pandryshuar. Ai ruan të njëjtin përkushtim, ushqehet nga të njëjtat ambicie dhe vazhdon me një qëndrueshmëri historike pothuajse për t'u admiruar.
Njeriu, si dikur, sapo zë vendin e vet në vrimën e kavallit, fillon të kujdeset për të me një përkushtim që të ngjall respekt. Kapardiset sikur të mos i kishte rënë për hise një vrimë kavalli, por kurora e një dinastie. E lustron, e pastron, e shpall pothuajse të shenjtë; madje, mbi të sistemon edhe dosjet, që vetë vrima e kavallit të fitojë pamjen e një institucioni. E quan karrierë, e shkruan me kujdes në biografi, e vendos në një kornizë të bukur, e var në mur dhe ua tregon miqve si trofe. E përmend nëpër darka familjare me tonin e një njeriu që sapo ka kaluar vaun më të rrezikshëm të jetës, ndërkohë që të gjithë rreth tryezës e dinë se ai ende nuk di not.
Aq shumë kohë i kushton vrimës së kavallit, sa harron se edhe vetë është një vrimë kavalli e zëvendësueshme, pavarësisht heroizmit që i ndriçon fytyrën. I tëri jeton nën siglën e kujdesit, me solemnitetin e një triumfi të mbushur me zbrazëti, sikur mbarë njerëzimi të mbahej mbi shpatullat e tij. Mjafton të fryjë një erë e lehtë dhe e merr me gjithë fryrjen e vet, e ngre lart e pastaj e përplas diku, atje ku zakonisht përfundojnë madhështitë administrative. Nënshkrimi i tij, i qendisur me kujdes sa herë ushtron atributet e vrimës së kavallit, i duket ligj natyror; mungesa e tij në zyrë, një fatkeqësi që, sipas bindjes së tij, prek pothuajse gjithë popujt përreth.
Pikërisht kjo është një nga mjeshtëritë më të rafinuara të institucioneve. Ato i japin individit mundësinë të harrojë se ka duar e këmbë për të ecur drejt, sepse është mësuar të zvarritet sipas rrethanave. Edhe kur i jepet rasti të përvidhet drejt një vrime kavalli më lart, e përjeton atë si hyrje në një rend më të madh se vetja, më të madh se dëshirat, madje edhe se ëndrrat e tij.
Me kalimin e kohës, kufiri ndërmjet funksionit të vrimës së kavallit dhe identitetit bëhet aq i hollë, sa njeriu fillon të banojë brenda detyrës së vet njësoj siç banon në shtëpinë e tij. Në kokë i rritet bindja se, po ta largosh nga vendi ku ndodhet, republika apo monarkia do të mbetet pa oksigjen dhe himni nuk do të këndohet më.
Të gjithë e dinë vendin e vet në korridoret e gjata të sistemit; e dinë pozicionin dhe rëndësinë e vrimës së kavallit që u ka rënë për pjesë. Secili përpiqet, e ndonjëherë edhe ia del, ta bindë veten se pikërisht vrima e tij e kavallit është më e rëndësishmja për melodinë dhe se, po të ndodhte të mbyllej ajo, shteti do të fishkëllente shtrembër, ndërsa historia do të mbetej peng e një note më të ulët. Vrimat e kavallit ecin nëpër korridore si nota të brishta muzikore, herë të esëllta e herë të dehura, shpesh të çakorduara, secila me bindjen e palëkundur se pa tingullin e saj, simfoninë e administratës do ta përpinte heshtja dhe do ta trette sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Në të vërtetë, hierarkitë e vrimave të kavallit e ushqejnë këtë bindje dhe njëkohësisht jetojnë prej saj. Çdo shkallë e këtij rendi ushqehet nga ndjesia se mban mbi vete një pjesë të domosdoshme të botës, se përfaqëson një tingull njëherësh unik dhe të papërsëritshëm. Kështu krijohet një qarkullim i pandërprerë i rëndësisë simbolike, ku titujt, zyrat dhe afërsia me qendrën e pushtetit fitojnë një peshë që shpesh e tejkalon vetë punën që kryhet. Institucioni shndërrohet dalëngadalë në një hartë të renditjes së vrimave të kavallit, ku matet prestigji, ndërsa individët fillojnë ta lexojnë veten sipas koordinatave që zënë brenda kësaj melodie administrative, herë harmonike e herë krejt të çakorduar.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye numri i vrimave të kavallit në kokat e njerëzve është shumë më i madh sesa ai i vrimave të aprovuara nëpër administrata. Ato gjenden kudo; në universitete, në parti, në korporata, në akademi, në shoqata dhe në çdo bashkësi që prodhon rend, hierarki e pozicione. Kudo ngrihet një sistem vrimash kavalli, ku secila ka intonacionin e vet në melodinë që i është caktuar të luajë. Diku vrimat emërtohen poste, diku grada, diku tituj, ndërsa të gjitha bashkë administrojnë të njëjtën provincë privilegjesh. Emërtimet ndryshojnë sipas zellit që çdo epokë trashëgon nga paraardhësja, ndërsa dëshira për të zënë një vend të dallueshëm vazhdon udhëtimin e saj nga një shekull në tjetrin me një qëndrueshmëri pothuajse rituale.
Pikërisht aty, te kjo larmi emërtimesh, qëndron e gjithë bukuria e vrimave të kavallit, edhe pse disa, pa të drejtë, e quajnë këtë komedia e trishtë e administratës. Në të vërtetë, askush nuk pyet kush i bie kavallit, kush e shkruan melodinë, kush ia vendos ritmin, apo kush e shet kavallin në fund të mandatit. Të gjithë merren me rendin e vrimave. Kështu, hierarkia e vrimave të kavallit pushon së qeni thjesht një mekanizëm administrativ dhe shndërrohet në një univers simbolik prestigji. Është pikërisht kjo hierarki që, krahas punëve të përditshme, organizon edhe imagjinatën e atyre që jetojnë brenda kësaj melodie.
Dikush është më pranë vrimës së majës në rendin e kavallit, dikush më larg, ndërsa dikush tjetër ka fituar privilegjin të thithë ajrin e shefit nga një distancë më e shkurtër. Kësisoj, ai që ngjitet një shkallë më lart në hierarkinë e vrimave të kavallit ndien sikur është ringjallur, thuajse ka kaluar nga administrata në përjetësi. Ai që zbret një shkallë sillet si viktimë e një tradhtie universale, sikur yjet të jenë rreshtuar kundër karrierës së tij. Në të vërtetë, të gjitha vrimat vazhdojnë të jenë pjesë e të njëjtit boshllëk, një arkitekturë e hollë kotësie, ku ambicia matet me afërsinë ndaj zhurmës.
Prandaj, shprehja e vjetër sot tingëllon si versioni modest i një katastrofe shumë më të madhe. Dikur ishte fyerje të të quanin vrima e fundit e kavallit; sot është pothuajse një profil profesional në kuadrin e privilegjit. Në një rend ku njeriu matet me afërsinë ndaj zyrës dhe me numrin e herëve që e përmend titullin para emrit, mjafton të jesh vrimë kavalli; me vulë, me hyrje-dalje në sistem, me kartelë dhe me një shikim që pretendon rëndësi. Madje, sa më gjatë të rrish aty, aq më shumë bindesh se kavalli këndon falë teje, se fryma kalon përmes teje dhe se muzika është shpikur në departamentin tënd, sipas idesë sate.
Ka diçka pothuajse prekëse në këtë përkushtim. Njeriu investon vite, energji, miqësi, armiqësi, pritje dhe zhgënjime për të mbrojtur një vend në hierarkinë e vrimave të kavallit, i cili një ditë do t'i kalojë dikujt tjetër me të njëjtën lehtësi me të cilën një dosje kalon nga një tavolinë në tjetrën. Megjithatë, pikërisht kjo përkohshmëri duket se e shton etjen për rëndësi; sa më kalimtar bëhet vendi, aq më e madhe bëhet nevoja për ta shpallur të përhershëm.
Në këtë kuptim, çdo vrimë e kavallit është shumë më tepër se një vend pune. Ajo shndërrohet në një adresë simbolike ku njeriu depoziton një pjesë të krenarisë së vet, të ankthit të vet dhe të dëshirës së vet për t'u dalluar nga turma. Pikërisht aty humori i kësaj historie merr edhe një nuancë trishtimi, sepse pas çdo vrime të kavallit që mbron veten me solemnitet fshihet një qenie njerëzore që kërkon, me gjithë fuqinë e saj, të ndihet e rëndësishme në një botë ku gjithçka është kalimtare.
Dhe në fund, kur flokët thinjen mbi dosje dhe vula i kalon pasardhësit si një relike familjare, ambicia mbetet po ajo; të rregullosh pak vendin tënd, ta bësh më të rehatshëm boshllëkun e vrimës së kavallit, të vendosësh një jastëk mbi asgjënë, ta quash trashëgimi dhe t'ua dorëzosh të tjerëve me solemnitet. Pastaj vjen një tjetër, fut gishtin në të njëjtën vrimë kavalli, ulet me krenari dhe bindet se karriera sapo ka filluar.
Dhe kështu vrima e kavallit vazhdon rrugën e vet, pa u shqetësuar nëse është e para apo e fundit; mjafton që e di dhe krenohet se është vrimë. Duke kaluar nga një dorë në tjetrën, nga një zyrë në tjetrën dhe nga një brez në tjetrin, ndërtohet karriera e të qenit vrimë kavalli, ndërsa pak nga pak shkruhet edhe melodia e nostalgjisë.
Pikërisht kështu vrimat e kavallit ndërrojnë personalitetet me një rregullsi të admirueshme që i ngjan një ligji të natyrës. Çdo personalitet i ri hyn në vorbullën e karrierës së vrimave të kavallit me bindjen se po hap një epokë të re. Historia e pret me qetësinë e saj të zakonshme, e vendos në radhën e gjatë të atyre që kanë menduar njësoj, pastaj ia merr pak nga pak kohën e çmuar për ta shndërruar në një tingull administrativ. Në fund mbetet diçka nga melodia, ndërsa krenaritë administrative treten në ajër me lehtësinë e vulës që thahet mbi letër.