Ekonomia e Shqipërisë rritet, por prodhimi bie/ Evropa ngre alarmin: Industria, bujqësia dhe investimet po humbasin terren
Ekonomia shqiptare vijoi të rritej në fillim të vitit 2026, por me ritëm më të ngadaltë dhe me sinjale dobësie në disa prej sektorëve kryesorë prodhues. Sipas raportit të fundit tremujor të Komisionit Europian, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.7% në tremujorin e parë, nga 4% në fund të vitit 2025. Rritja u mbështet kryesisht nga konsumi i familjeve, administrata publike, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, arsimi dhe shëndetësia. Industria dhe bujqësia, ndërkohë, dhanë kontribut negativ.
Një nga sinjalet më shqetësuese lidhet me investimet, ritmi i të cilave ra në 3.9%, nga 10% në tremujorin paraardhës. Eksportet e mallrave u rritën ndjeshëm, por shtimi i importeve e neutralizoi pjesën më të madhe të efektit pozitiv në ekonomi.
Përkeqësim u shënua edhe në tregun e punës. Papunësia arriti në 9.4%, ndërsa te të rinjtë u ngjit në 16.9%. Emigracioni neto prej rreth 28,500 personash gjatë vitit 2025 vijoi të tkurrte fuqinë punëtore dhe të shtonte mungesën e punonjësve.
Paga mesatare bruto u rrit me 9.6%, duke arritur në 90,119 lekë, por paralelisht u shtuan edhe presionet mbi çmimet. Inflacioni arriti në 3.2% në qershor, mbi objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë, i nxitur kryesisht nga ushqimet, energjia, strehimi dhe transporti.
Ndryshe nga sektorët prodhues, financat publike paraqitën një bilanc pozitiv. Në pesë muajt e parë të vitit, buxheti regjistroi suficit në nivelin 1.9% të PBB-së së pritshme, ndërsa borxhi publik zbriti në 48.8% të PBB-së. Leku vijoi forcimin, me një kurs mesatar prej 95.3 lekësh për euro gjatë tremujorit të dytë.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria regjistroi rritjen e dytë më të lartë ekonomike, pas Kosovës, e cila kryesoi me 5.4%. Megjithatë, Komisioni Europian evidenton se rritja në Ballkanin Perëndimor po mbështetet kryesisht te konsumi dhe rritja e pagave, ndërsa investimet, punësimi dhe sektorët prodhues po humbasin ritëm.