BIA serbe, spiuni Sheholli, dhe 'spiunët funksionalë' “shqiptarë”!
Sali Shasivari
Shumë pak aftësi, strategji, mjeshtri, energji dhe djallëzi iu desh ‘BIA’-s serbe që të riaktualizojë dhe riciklojë dosjen e një spiuni klasik dhe të njohur, për të futur në funksion qindra ‘spiunë funksionalë’ “shqipëtar”, të cilët, me vetëdije apo pa-vetëdije, të rekrutuar apo të pa-rekrutuar, profesionistë apo jo-profesionistë, “intelektualë” apo sharllatanë, të paguar apo të pa-paguar, të njohur apo të panjohur…, ranë në kurthën e armikut, duke realizuar dhe avancuar agjendën armiqësore shekullore anti-shqiptare!
Efekti? I paparashikueshëm dhe i papritur edhe nga vetë nxitësit e këtyre proceseve makabre…!
Mijëra komente, thashetheme, reaksione, sharje, akuza, linçime, blasfemi, etj. …; por, jo domosdoshmërisht ndaj palës djallëzore (në rastin konkret, palës sllavo-serbe dhe agjentëve të saj pseudo-shqipëtar), por ndaj pjesës dërrmuese të popullatës shqiptare muslimane, fesë së tyre të pastër, simboleve të tyre fetare, prijësve të tyre, si dhe gjithçkaje që lidhet me to…!
Përreth gjithçkahit që mund të flitet e përflitet për (pa)aftësinë dhe djallëzinë e ‘BIA’-s serbe dhe agjentëve të saj, realiteti është se, një ‘potez’ i këtillë duhet “vlerësuar” si tejet efektiv dhe tejet djallëzor; kjo, sidomos kur shihen reperkusionet e këtij ‘potezi’ në ‘shqipëritë’ tona, me ç’rast, për pasojë, kemi një sër efektesh negative të një manjitude shkatërruese për të tashmen dhe të ardhmen ekzistenciale, unitare, dhe atdhetare shqiptare, si dhe perspektivave të gjithmbarshme kombëtare!
Kjo, sidomos kur kemi parasyshë faktin se, një ‘maskaradë’ e këtillë po ndodh pikërisht në një periudhë kur, Kosova po përballet me një kampanjë të paskrupullt nga ana e armiqve shekullor të kombit (dhe kuislingëve të tyre) për pengimin e procesit të saj shtetformues…; ndërsa, Shqipëria Londineze po përballet me një tentativë të turpshme nga ana e “bijve” të saj të pabesë (në bashkëpunim me qarqe djallëzore) për dështimin e procesit të saj shtetndërtues…! Mbase, e gjithë kjo maskaradë duket mirë e konsoliduar dhe koordinuar, që në shënjestër të saj ka gjithë shqiptarinë…!
Rastet klasike të ‘spiunimit’ nuk janë të padëgjuara në mesin e popujve të botës…; përkundrazi, ato konsiderohen të shpeshta dhe të zakonshme…
Megjithatë, ajo që i dallon popujt tjerë është mënyra, forma, dhe mekanizmat e reagimit…
Përderisa në rastin e popujve tjerë, me ‘dosjet’ e këtilla merren organet kompetente të ‘zbulimit dhe kundër-zbulimit’…; në rastin shqiptar, ‘dosjet’ e këtilla dashakeqe dhe ogurzeza janë hapur lirshëm për ‘të rreptin dhe të shkeptin’…; duke i shndërruar çështjet e tilla – sa delikate, po aq edhe të rrezikshme – në ‘biseda mbas-darke’, dhe duke i shndërruar ‘shqipëritë’ tona në ‘shpi pa të zot’…!
Kështu, në rastin konkret, sikurse edhe në shumë raste të ngjashme, reaksioni ‘pan-shqiptar’ mund të konsiderohet – si zakonisht – ‘sui generis’, i karakterizuar me elemente të deformuara identitare, blasfemiste, kripto-nacionaliste, pseudo-patriotike, dhe turbo-folklorike…; reaksione këto, të cilat ngërthejnë në vehte doza të mëdha të përbërësve dhe elementeve ‘me përplasje dhe djegie të brendshme’, me efekte ‘vetë-destruktive dhe vetëshkatërruese’…; duke e çuar - gjithmonë - ‘ujin në mulli të armikut’…!
E, ajo që është edhe më tragji-komike në gjithë këtë katrahurë, është tallja e paskrupullt që bëhet me vetëdijen, ndjenjat, jetën, dhe mirëqenien e popullit shqipëtar, i cili, edhe ashtu është i stërngarkuar me shumë halle të tjera jetike dhe ekzistenciale…!
Reaksionet e qëllimshme apo spontane, me vetëdije apo pa vetëdije, të paramenduara apo histerike, me qëllim të keq apo me qëllim të mirë…, po shkaktojnë efekte katastrofike ndaj indit ekzistencial të popullit shqipëtar…!
Mbase, dëmi që po ia shkaktojnë ‘shpirtit dhe trupit’ kombëtar ‘spiunët funksionalë’, është shumëfish më i madh dhe më i rrezikshëm në krahasim me dëmin që e shkakton ‘spiunazhi klasik i armiqve’ (me kuislingët e tyre)…!
Kjo është ‘saga ballkanike shqiptare’, e cila kurrsesi nuk po gjen epilog të mirëfilltë…!
Shtrohet pyetja: deri kur kështu?!
Përgjigjja është decidive dhe e thjeshtë: derisa të vetëdijesohemi…!
Mirëpo, kjo përgjigje, aq sa është decidive dhe e thjeshtë, po aq është frustruese dhe e ndërlikuar…! Kjo, ngase, rruga e vetëdijësimit të popujve është rrugë e gjatë dhe komplekse …; ajo kërkon vizion, strategji, qëndrueshmëri, dhe sakrifica; e, mbi të gjitha, kërkon nisma…!
Nisma e parë në këtë drejtim është të kuptuarit e problemit / problemeve esenciale të popullit dhe shoqërive shqiptare…! E, këto probleme janë të shumta…; duke filluar nga dilemat identitare, historike, kulturore, dhe shoqërore, e deri te krizat civilizuese, arsimore, ekonomike, dhe politike…!
Së këndejmi, rrugëtimi vetëdijesues do të duhej të fillojë nga formësimi i vetëdijes kolektive përkitazi me identitetin, konsolidimi i memorjes kolektive përkitazi me historinë, rafinimi i ndjenjës kolektive përkitazi me kulturën, përmirësimi i realitetit kolektiv përkitazi me shoqërinë…; duke kaluar mëpastaj tek proceset ndërtuese civilizuese, iniciativat progresive arsimore, hapat zhvillues ekonomik, dhe përvojat avancuese politike…!
E, në ndërkohë, do të bënim mirë po qe se do të ndaleshim ‘së hedhuri benzinë zjarrit’, edhe atë, përmes dekonspirimit, denoncimit, dënimit, ndëshkimit, bllokimit, dhe injorimit të retorikave të tilla, sa helmuese për indin kombëtar, po aq shkatërruese për perspektivat e tij qytetëruese… Përndryshe, ‘zjarri i urrejtjes’ do të djeg të gjithë ata që i fryejnë të njejtit…!
Andaj, kujdes!!!