Lidhje


50% të grupeve ushqimore i paguajmë më shtrenjtë se Europa/ LISTA

Shqipëria ka një nga peshat më të larta të bujqësisë në ekonomi në Europë, me gati 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt afërsisht 2% mesatarisht në Bashkimin Europian dhe më pak se 8% në vendet e tjera të rajonit.

 

Por pesha e lartë e bujqësisë nuk po përkthehet në ushqime më të lira për konsumatorët. Përkundrazi, shqiptarët i paguajnë një pjesë të produkteve bazë më shtrenjtë se mesatarja europiane dhe dukshëm më shtrenjtë se fqinjët. Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet.

Të dhënat e krahasueshme të nivelit të çmimeve, ku mesatarja e Bashkimit Europian është 100, e vendosin Shqipërinë në indeksin 103.8 për ushqimet dhe pijet joalkoolike për vitin 2025.

 

Pra, niveli i çmimeve është 3.8% mbi mesataren e BE-së dhe më i larti ndër vendet e rajonit. Serbia, që është vendi i dytë më i shtrenjtë, ka indeksin 97.1, Mali i Zi 86.5, Bosnjë-Hercegovina 85.8 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 74.8.

Në krahasim direkt, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë në Shqipëri rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut.

 

Diferenca mbetet pothuajse e njëjtë edhe nëse nga grupi hiqen pijet dhe krahasohen vetëm ushqimet. Shqipëria ka indeksin 102.9, ose 2.9% mbi mesataren europiane, kundrejt 96.6 në Serbi, 84.6 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi dhe 74.3 në Maqedoninë e Veriut.

Ushqimet në Shqipëri rezultojnë rreth 6.5% më të shtrenjta se në Serbi, 22% më të shtrenjta se në Bosnjë dhe Malin e Zi dhe gati 39% më të shtrenjta se në Maqedoninë e Veriut.

 

50% e grupeve ushqimore (ndër më të domosdoshmet) janë më të shtrenjta se në BE

Nga 12 grupe të detajuara ë raporton Eurostat, për 6 prej tyre, apo gjysmën, çmimet janë më të lartat sesa mesatarja europiane. Këtu futen produkte bazë, si qumështi e nënproduktet, vajrat dhe yndyrnat, ndërsa dhe mishi e peshku janë shumë afër niveleve të BE-së.

Diferenca më e fortë për produktet bazë është te qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët. Shqipëria ka indeksin 135.6, ose 35.6% mbi mesataren e BE-së.
Në Serbi indeksi është 107.1, në Malin e Zi 95, në Bosnjë-Hercegovinë 92 dhe në Maqedoninë e Veriut 89.6.

 

 

Shqiptarët i paguajnë këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.

Edhe ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore janë dukshëm më të shtrenjta. Indeksi për Shqipërinë arrin në 128.2, ose 28.2% mbi mesataren e BE-së. Serbia është në 111.2, Mali i Zi 108, Bosnja 95.5 dhe Maqedonia e Veriut 80.9. Shqipëria është rreth 15% më e shtrenjtë se Serbia dhe afro 59% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

Për sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë, çmimet në Shqipëri janë 23.1% mbi mesataren e BE-së, me indeks 123.1. Në këtë kategori Serbia është pak më e shtrenjtë, me 125.3, ndërsa Mali i Zi ka indeksin 120.5. Bosnja është në 104.2 dhe Maqedonia e Veriut në 92.5.

 

 

Te pijet joalkoolike, Shqipëria rikthehet si vendi më i shtrenjtë i rajonit, me indeks 114.3, ose 14.3% mbi mesataren europiane. Mali i Zi është në 105.9, Serbia 103.2, Bosnja 97.7 dhe Maqedonia e Veriut 79.9. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, pijet joalkoolike kushtojnë rreth 43% më shumë në Shqipëri.

Edhe vajrat dhe yndyrnat janë mbi mesataren e BE-së, me indeks 112.5. Në këtë kategori Shqipëria nuk është më e shtrenjta në rajon: Serbia ka indeks 128.4 dhe Mali i Zi 119.4. Bosnja është pranë mesatares europiane me 99.2, ndërsa Maqedonia e Veriut në 95.

Te mishi dhe produktet e kafshëve të therura, Shqipëria ka indeksin 98, pra pak më poshtë mesatares së BE-së. Por në raport me rajonin mbetet vendi më i shtrenjtë. Serbia ka indeks 86.1, Bosnja 83, Maqedonia e Veriut 77.6 dhe Mali i Zi vetëm 71.

 

 

Ndonëse Shqipëria është një vend me shumë burime ujore, ajo është e dyta më e shtrenjtë në rajon, duke lënë pas vetëm Serbinë, pa det. Te peshku dhe produktet e detit, Shqipëria ka indeksin 96.5. Serbia është më e shtrenjtë, me 106.7, ndërsa Mali i Zi ka 90.2, Bosnja 88.3 dhe Maqedonia e Veriut 80.5.

Paradoksi i një vendi me peshë të lartë të bujqësisë është i dukshëm edhe te produktet që prodhohen gjerësisht në vend.

Për frutat dhe arrat, Shqipëria ka indeksin 92.1, nën mesataren europiane, por shumë mbi shumicën e rajonit. Serbia është pak më e shtrenjtë, me 95.9, ndërsa Mali i Zi ka 77.9, Bosnja 71.2 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 52.4. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, niveli i çmimeve në Shqipëri është rreth 76% më i lartë.

Për perimet, zhardhokët, bananet e gatimit dhe bishtajoret, Shqipëria ka indeksin 91.2, praktikisht të njëjtin nivel me Serbinë, 91. Por është rreth 20% më e shtrenjtë se Bosnja, 22% më e shtrenjtë se Mali i Zi dhe 27% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

 

Edhe te drithërat dhe produktet e drithërave, ku indeksi shqiptar është 84, çmimet janë më të larta se në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm Serbia, me indeks 87.3, është më e shtrenjtë.

Produkti më i shtrenjtë në Shqipëri janë pijet alkoolike. Shqipëria ka indeksin 159, ose plot 59% mbi mesataren e Bashkimit Europian. Asnjë vend tjetër i rajonit nuk afrohet me këtë nivel. Mali i Zi ka indeks 128.8, Serbia 116.3, Maqedonia e Veriut 99 dhe Bosnjë-Hercegovina 92.6.

Në kategorinë më të gjerë “pije alkoolike, duhan dhe narkotikë”, Shqipëria ka indeksin 81.7. Ndonëse nën mesataren e BE-së, është sërish niveli më i lartë në rajon, përpara Serbisë me 72.5, Malit të Zi me 69.7, Bosnjës me 63.6 dhe Maqedonisë së Veriut me 58.5.

 

 

Të dhënat nxjerrin në pah një kontrast të fortë për ekonominë shqiptare: bujqësia zë rreth 15% të PBB-së, një peshë shumëfish më të lartë se në Bashkimin Europian, por konsumatori shqiptar përballet me çmime ushqimore që në shumë kategori janë jo vetëm më të lartat në rajon, por edhe mbi mesataren europiane.

Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet. Produkti më i lirë në Shqipëri është duhani, që normalisht është i dëmshëm për shëndetin!


Euro prek minimumin historik/ Zhvlerësohet në 92.44 lekë, rënia përshpejtohet gjatë 2026

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

 

 

Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026.

Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave.

 

 

Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.


“DOSJA SHQIPTARE” e Kushnerit/ Në Uashington kërkojnë lidhjet me Ramën dhe Artur Shehun

 

Demokratët e Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë zgjeruar hetimin ndaj Jared Kushner, duke vendosur në fokus projektet e tij turistike në Shqipëri. Kongresmeni Jamie Raskin i ka kërkuar Kushnerit dokumente mbi miratimin dhe shqyrtimin e investimeve, përfshirë çdo komunikim mes qeverive amerikane dhe shqiptare, si dhe të dhëna që lidhen me mënyrën e sigurimit të pronave.

Read more ...


Jepen 300 kredi me 0% interes për patronazhistët e administratës

Në një kohë kur mijëra familje shqiptare përballen çdo ditë me rritjen marramendëse të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe normat e larta të interesave bankare, qeveria ka vendosur të preferojë sërish me para publike "të përzgjedhurit" e saj.

 

 

Sipas skemës së njoftuar, financimi do të bëhet sipas çmimeve të referencës, ndërsa sipërfaqja e banesës do të llogaritet mbi bazën e certifikatës familjare. Kuotat janë ndarë mes pesë institucioneve: Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme marrin nga 70 kuota secila, ndërsa 20 kuota të tjera i lihen Policisë së Burgjeve (nën Ministrinë e Drejtësisë). Aplikimet do të kryhen përmes portalit e-Albania.

 

Sipas kriterit të vendosur, aplikantët duhet të jenë pjesë e administratës publike, të mos kenë banesë në pronësi apo pasuri të tjera që kalojnë gjysmën e vlerës së shtëpisë që do të blejnë, si dhe të mos kenë përfituar më parë nga skemat sociale.

 

 

Mirëpo, pas këtyre kritereve zyrtare fshihet një realitet mjaft diskriminues për qytetarët e thjeshtë. Ndërsa punonjësit e administratës, mes të cilëve operojnë edhe ushtritë e patronazhistëve të pushtetit, marrin kredi me zero interes të paguara nga taksat e të gjithëve, pjesa tjetër e popullsisë lihet në mëshirë të fatit.

Qytetarët që punojnë në sektorin privat përballen çdo ditë me kushte të papërballueshme bankare, ndërsa ëndrra për të blerë një shtëpi po i shtyn gjithnjë e më shumë drejt emigrimit.


‘Do jemi si Kosova me Beogradin’! Banorët e Klosit kundërshtojnë bashkimin me Matin

Banorët e Njësisë Administrative Xibër kanë kundërshtuar propozimin për bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat, gjatë dëgjesës publike të zhvilluar në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.

Gjatë takimit, banorët shprehën shqetësimin se një bashkim i tillë do të sillte largimin e shërbimeve administrative nga komuniteti dhe do t’i detyronte ata të udhëtonin drejt Burrelit për procedura të ndryshme.

 

 

Sipas tyre, kjo do të nënkuptonte më shumë shpenzime, kohë dhe vështirësi për banorët, veçanërisht për ata të zonave rurale.

Banorët e fshatit Ketë dhe zonave përreth kërkuan që shërbimet publike të vijojnë të jenë sa më pranë komunitetit. Ata argumentuan gjithashtu se Bashkia Klos ka potencial për zhvillim ekonomik dhe tërheqje investimesh, veçanërisht pas përmirësimit të aksesit rrugor përmes Rrugës së Arbrit.

Një prej banorëve e kundërshtoi ashpër idenë e bashkimit, duke e lidhur atë edhe me mënyrën e funksionimit të administratës vendore.

 

 

“Ne në Klos mbarojmë punë shumë më shpejt, kemi njerëzit tanë. Klosi me Burrelin do jetë si Kosova me Beogradin dhe ne atje nuk ka për të na e parë asnjë surratin.”

Banori kritikoi gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se politikat e ndjekura prej tij kanë dëmtuar qytetarët.

“Popullin e ka rënuar. Ramës dua t’i them: e ke çuar vendin në greminë”, u shpreh ai.

Banorët kërkuan që çdo ndryshim i mundshëm në organizimin territorial të marrë në konsideratë aksesin e qytetarëve në shërbimet publike, distancat dhe nevojat konkrete të komuniteteve lokale.

XS
SM
MD
LG