Lidhje


Nesër mblidhet Kuvendi i Kosovës: seanca konstituive hap legjislaturën e re

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për legjislaturën e dhjetë të vendit, e cila do të mbahet më 11 shkurt 2026 në orën 12:00. Vendimi për këtë datë u mor pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, duke u bazuar në nevojën urgjente për formimin e institucioneve, miratimin e buxhetit shtetëror dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

 

Caktimi i seancës konstituive erdhi një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të cilat përcaktuan përbërjen e re të Kuvendit. Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 51 për qind të votave me 57 ulëse, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 ulëse. Ulëset e mbetura prej 20 janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë.

 

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, vendimi për thirrjen e seancës konstituive është marrë “në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, duke theksuar rëndësinë e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare. Deri më tani, institucioneve të reja u ka munguar formimi që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, duke krijuar një periudhë të zgjatur pa qeveri të plotë funksionale.

 

Rendi i ditës së seancës konstituive parashikon formimin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimin e tyre, si dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Kryesimi i seancës do të bëhet nga deputeti më i vjetër i moshës, me asistencë nga deputeti më i ri. Këto hapa janë përcaktuar në rregulloren e Kuvendit dhe shërbejnë si themel për funksionimin e legjislaturës së re.


Prokuroria speciale kërkoi 180 vite burg për Hashim Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së, Albin Kurti reagon gjerë e gjatë: Po synohet përmbysja e së vërtetës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi Prokuroria e Hagës kërkoi 180 vite burg të ish-krerëve të UÇK, 45 vite për secilin. Përmes një reagimi publik, LVV thotë se kjo kërkesë e prokurorisë nuk është akt për kërkimin e drejtësisë, por një politikë që synon të përmbysë rendin e së vërtetës. Sipas kësaj force politike, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, Jugosllavia e Millosheviçit kreu gjenocid në Kosovë dhe UÇK luftoi duke mbrojtur popullin e Kosovës.

 

Më tej në reagimin e saj, Lëvizja Vetëvendosje thekson se kërkesat për dënime maksimale nuk synojnë drejtësinë, por përbëjnë ndërhyrje politike që zhvendosin përgjegjësinë nga agresori te viktima. Sipas LVV-së, po tentohet të kriminalizohet lufta çlirimtare dhe vetë akti i çlirimit, duke e paraqitur rezistencën ndaj okupimit si krim.

Read more ...


Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve hyn në fazën përfundimtare në Hagë

Gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — ka hyrë sot në fazën përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në Holandë, pas më shumë se katër vjetesh nga arrestimi i tyre dhe rreth tri vjet nga fillimi i procesit gjyqësor në prill 2023. Në këtë etapë, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe të pandehurit do të mbajnë deklara­tat përfundimtare në gjykatë, ku secila palë do të përmbledhë provat dhe argumentet e veta para trupit gjykues. 

 

Sipas aktvendimit të gjykatës, prokuroria do të ketë deri në tetë orë për fjalën e saj përfundimtare, ndërsa secili ekip mbrojtës do të ketë rreth katër orë e gjysmë, ndërsa të pandehurit vetë do të kenë rreth 20 minuta për t’u drejtuar trupit gjykues. Pas përfundimit të kësaj faze me fjalët përfundimtare, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje, me afat tre muajsh për dhënien e vendimit përfundimtar, me mundësinë e zgjatjes së këtij afati sipas nevojës. 

 

 

Ky vit konsiderohet vendimtar për të katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Dhomat e Specializuara, pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës me personel ndërkombëtar, janë financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe janë themeluar në vitin 2015 për të hetuar dhe gjykuar krimet e dyshuara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.  


Greqia nis mbylljen e xhamive dhe dëbimin e hoxhallarëve: A po kërcënohet liria e besimit?

Në një lëvizje që ka shqetësuar thellë komunitetet myslimane në mbarë botën, në fillim të muajit shkurt Greqia ka nis procesin ligjor të mbylljes së disa xhamive që i konsideron “të palicensuara”. Këto mbyllje, të shoqëruara me dëbimin e disa administratorëve të huaj, janë paraqitur nga qeveria greke si një zbatim i thjeshtë i rregullave të lejeve.

 

 

Megjithatë, nga një tjetër këndvështrim, kjo lëvizje po shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për lirinë e tyre fetare. Shumë myslimanë besojnë se nën petkun e përputhjes administrative, qeveria greke po veçon vendet e adhurimit myslimane dhe po i bën besimtarët të ndihen të shënjestruar.

 

 

Organizata e Bashkëpunimit Islamik ka shprehur shqetësimin e saj, duke i bërë thirrje Greqisë të respektojë të drejtat fetare të pakicës së saj myslimane. Për shumë myslimanë, kjo zhvillim është një kujtesë e hidhur se sfidat për të ushtruar lirisht besimin e tyre ende vazhdojnë në disa pjesë të botës.


Vendim që trondit Kosovën: Kushtetuesja kundër Kurtit për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje reagoi ashpër të mërkurën ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke e akuzuar atë se ka tejkaluar kompetencat dhe se po formëson një “pol pushteti paralel” jashtë vullnetit të sovranit. Sipas LVV-së, aktgjykimi i fundit për çështjen e Listës Serbe cenon rendin kushtetues dhe krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve.

 

Reagimi i LVV-së vjen pas vendimit të Kushtetueses, e cila ka theksuar se njëri nga deputetët e Listës Serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Gjykata ka sqaruar se e drejta për propozimin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb i takon subjektit që përfaqëson shumicën e deputetëve serbë në Kuvend, në këtë rast Lista Serbe.

 

Në aktgjykim thuhet se mekanizmi i shortit nuk mund të aktivizohet për sa kohë që Lista Serbe nuk ka refuzuar shprehimisht të bëjë propozime dhe se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë duke respektuar këtë parim kushtetues. Gjykata ka nënvizuar se ky interpretim vlen për rastet e ardhshme dhe synon të shmangë bllokada institucionale përmes shkeljes së të drejtave të përfaqësimit komunitar.

 

Çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb ka qenë burim tensionesh politike që nga konstituimi i legjislaturës së kaluar, ndërsa vendimi i fundit i Kushtetueses ka rihapur debatin mbi rolin e gjykatës, kufijtë e saj dhe raportin mes vullnetit politik dhe interpretimit kushtetues. Në këtë klimë, përplasja mes LVV-së dhe Gjykatës Kushtetuese po shihet si një nga konfliktet më serioze institucionale në Kosovë në muajt e fundit.

XS
SM
MD
LG