Opozita refuzon të takohet me Kurtin përpara se Kushtetuesja të vendosë për dekretin
Pavarësisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti Përfaqësuesit e partive në opozitë nuk kanë shprehur gatishmëri të flasin për presidentin, përpara se Kushtetuesja të vendosë në çështjen që i është adresuar javën e shkuar.
Në një komunikatë të lëshuar nga Partia Demokratike është shprehur gatishmëri për takime, por jo në kohën kur ka kërkuar Kurti.
“Në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Në këtë frymë është edhe përgjigjja e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka thënë Abdixhiku.
Por, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Kurti ka qëllim ta çorientojë opozitën.
“Ftesa e Kurtit për takime me opozitën është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po e përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv, sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, ka deklaruar Tahiri.
Njohës të çështjeve kushtetuese kanë dhënë interpretime të ndryshme sa i përket verdiktit që do ta nxjerrë Gjykata.
Disa nga ta kanë vlerësuar se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është antikushtetues dhe se do të jepet sërish mundësi për zgjedhjen e presidentit, brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës.
E të tjerë kanë vlerësuar se më 5 mars është konsumuar afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe se Kushtetuesja do ta validojë dekretin që u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Më 5 mars, për mungesë kuorumi prej 80 deputetësh, Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin, në mesin e kandidatëve Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku.
Një ditë pas, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin me dekret.