Irani godet Emiratet: raketa mbi ujërat territoriale, dron në Fujairah dhe panik në Dubai
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftuan të hënën se vendi është goditur nga një tjetër përshkallëzim i tensioneve me Iranin, pasi një sulm me dron iranian shkaktoi një zjarr të madh në zonën e Industrisë së Naftës Fujairah, ku tre shtetas indianë mbetën të plagosur lehtë dhe u dërguan në spital.
Sipas qeverisë së Fujairah, ekipet e mbrojtjes civile ndërhynë menjëherë në vendngjarje dhe vijuan përpjekjet për të vendosur zjarrin nën kontroll. Sulmi me dron ndodhi në të njëjtën ditë kur Ministria e Mbrojtjes e Emirateve njoftoi se Irani kishte lëshuar katër raketa drejt territorit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas njoftimit zyrtar, tre raketa u interceptuan mbi ujërat territoriale, ndërsa raketa e katërt ra në det, pa shkaktuar dëme të raportuara në tokë. Këto janë raketat e para iraniane të raportuara ndaj Emirateve që kur vendi kishte shpallur hapësirën e tij ajrore të lirë nga kërcënimet gati një muaj më parë.
Më herët gjatë ditës, mijëra qytetarë në Dubai morën një alarm urgjent sigurie në telefonat e tyre celularë. Mesazhi, i dërguar në anglisht dhe arabisht nga Ministria e Brendshme, paralajmëronte se “për shkak të situatës aktuale, ekziston mundësia e kërcënimeve me raketa” dhe u kërkonte qytetarëve të kërkonin menjëherë strehim në ndërtesën më të afërt të sigurt.
Autoritetet u rekomanduan banorëve të qëndrojnë larg dritareve, dyerve dhe hapësirave të hapura, si dhe të presin udhëzime të mëtejshme nga institucionet kompetente.