SHBA hoqi 5 mijë trupa nga Gjermania, vjen reagimi i parë i NATO-s
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se aleanca po analizon ndikimin e këtij vendimi në pozicionimin e forcave në Europë.
“Po punojmë me SHBA për të kuptuar detajet e vendimit të tyre mbi praninë ushtarake në Gjermani. Ky zhvillim nënvizon nevojën që Europa të vazhdojë të investojë më shumë në mbrojtje dhe të marrë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e përbashkët”, u shpreh ajo.
Sipas saj, tashmë ka progres në këtë drejtim, pasi vendet aleate janë angazhuar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, duke synuar nivele më të larta të investimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Hart theksoi gjithashtu se NATO mbetet e sigurt në aftësinë e saj për të garantuar parandalimin dhe mbrojtjen kolektive, edhe në kushtet e këtij ndryshimi të pranisë ushtarake amerikane.
“Ne mbetemi të bindur në kapacitetin tonë për të siguruar mbrojtjen dhe parandalimin, ndërsa vazhdon ky tranzicion drejt një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fortë”, shtoi ajo.