Nga Mar-a-Lago në Hormuz: Si ia shiti Netanyahu Trumpit luftën “e lehtë” ndaj Iranit
Sipas një analize të publikuar nga Peter Beaumont gazetar i The Guardian, Benjamin Netanyahu duket se e ka paraqitur përpara Donald Trump përballjen me Iranin si një operacion të shpejtë, të kontrollueshëm dhe me rezultat të garantuar. Në një takim në fund të dhjetorit në Mar-a-Lago, kryeministri izraelit jo vetëm që kërkoi mbështetje për një konflikt më të gjerë kundër Teheranit, por e argumentoi këtë si një mundësi politike dhe historike për Trumpin, duke theksuar dobësinë e Iranit dhe mundësinë për rrëzimin e shpejtë të regjimit. Sipas analizës, Netanyahu përdori edhe elementë simbolikë dhe personalë për ta bindur, duke e paraqitur luftën si një fitore të sigurt.
Megjithatë, zhvillimet në terren kanë treguar një realitet krejt tjetër. Pas më shumë se një muaji përplasjeje, objektivat kryesore nuk janë arritur: Irani nuk është dobësuar në mënyrë vendimtare dhe regjimi nuk ka dhënë shenja rënieje. Përkundrazi, ai duket se është konsoliduar më tej, ndërsa kostot për SHBA-në dhe Izraelin janë rritur ndjeshëm. Në vend të një fitoreje të shpejtë, konflikti ka prodhuar një situatë të ndërlikuar dhe të pasigurt.
Analiza e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë të strategjisë së Netanyahut pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Nga Gaza te Libani, Jemeni, Siria dhe tashmë Irani, sipas autorit, është ndjekur një model i ngjashëm: premtime për fitore vendimtare që në praktikë nuk janë materializuar plotësisht. Edhe strategjia për eliminimin e drejtuesve të lartë nuk ka sjellë ndryshimin e pritur në strukturat e kundërshtarëve.
Ndërkohë, brenda administratës së Trumpit po shtohen dyshimet se pritshmëritë fillestare kanë qenë të ekzagjeruara. Raportime të ndryshme sugjerojnë pakënaqësi në nivele të larta, përfshirë edhe nga zëvendëspresidenti JD Vance, ndërsa burime të cituara nga mediat amerikane theksojnë se lufta është paraqitur më e lehtë nga sa rezultoi në realitet.
Megjithatë, analiza thekson se përgjegjësia nuk është vetëm e Netanyahut. Trump konsiderohet si një aktor i vetëdijshëm dhe i përfshirë plotësisht në këtë strategji, duke besuar se një demonstrim force do të sillte përfitime të shpejta politike dhe ushtarake. Me kalimin e kohës, kjo llogaritje po rezulton gjithnjë e më e kushtueshme.
Pasojat tashmë kanë kaluar kufijtë rajonalë. Tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar drejtpërdrejt tregjet globale të energjisë, ndërsa konflikti ka rënduar financat dhe kapacitetet ushtarake të SHBA-së, duke zhvendosur vëmendjen edhe nga frontet e tjera si Ukraina. Në të njëjtën kohë, rivalët strategjikë të Uashingtonit – si Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut – mund të përfitojnë nga kjo situatë.
Në planin afatgjatë, analiza paralajmëron edhe pasoja për vetë Izraelin. Mbështetja ndërkombëtare, sidomos në Perëndim, po zbehet, ndërsa edhe në SHBA po vërehet rënie e simpatisë ndaj Izraelit, përfshirë segmente të rëndësishme të opinionit publik. Kjo mund të ndikojë në të ardhmen në nivelin e mbështetjes politike dhe ushtarake.
Në përfundim, ajo që u prezantua si një luftë e shpejtë dhe e favorshme, po shndërrohet në një konflikt të zgjatur me kosto të larta dhe pasoja të gjera gjeopolitike, duke vënë në pikëpyetje llogaritjet fillestare të kësaj strategjie.