Lidhje


Analiza: A mundet Trump të korrë fitore të shpejtë në Iran?

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se lufta me Iranin ka mundësi të jetë afër përfundimit, duke e dhënë një vlerësim optimist për një luftë që ka shkaktuar tensione rajonale dhe paqëndrueshmëri në tregjet globale të energjisë.

 

Duke folur për gazetarë më 9 mars në klubin e tij të golfit në Florida, Trump tha se lufta “do të përfundojë së shpejti”, megjithëse nuk dha ndonjë afat të qartë dhe sugjeroi se operacionet mund të vazhdojnë edhe përtej kësaj jave.

 

“Ne mund ta lëmë me kaq, por do të shkojmë më tej”, tha ai, duke argumentuar se ndërhyrja e SHBA-së ia ka pamundësuar Iranit “ta marrë nën kontroll Lindjen e Mesme”.

 

Optimizmi i presidentit vjen në mes të një debati të vazhdueshëm në Uashington rreth synimeve të vendit për këtë luftë, kostove të tij dhe trajektores së mundshme.

 

Një mënyrë ndryshe për të bërë luftë


Disa ish-zyrtarë të Trumpit e shohin qasjen e presidentit si pjesë të një ndryshimi më të gjerë në mënyrën se si Uashingtoni mendon për fuqinë ushtarake.

 

Alexander Gray, i cili shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Trumpit, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) më 9 mars se presidenti duket se po e sfidon kornizën që ka formësuar debatet amerikane mbi ndërhyrjen ushtarake që nga Lufta e Irakut 2003–2011.

 

Gray argumentoi se politikëbërësit amerikanë shpesh i kanë paraqitur vendimet e tyre si alternativë binare: ose të angazhojnë forca të mëdha tokësore dhe fushata afatgjata për ndërtimin e shtetit, ose të shmangin plotësisht veprimin ushtarak.

 

“SHBA-ja mund të kryejë sulme të synuara kirurgjikale dhe me kohëzgjatje të kufizuar për qëllime të qarta, të përcaktuara dhe realiste, dhe të arrijë qëllimet kombëtare”, tha Gray.

 

Nëse një qasje e tillë ka sukses në Iran, shtoi ai, kjo mund të sjellë “përfitime të mëdha gjeopolitike” për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre.

Përshtatja e narrativës së luftës


Analistë të tjerë janë më skeptikë ndaj mesazheve të administratës, duke thënë se ato mund të formësohen edhe nga konsiderata politike dhe ekonomike.

 

Paul Poast nga Universiteti i Çikagos i tha REL-it se sinjalet kontradiktore nga Shtëpia e Bardhë sugjerojnë se zyrtarët mund të përpiqen të arrijnë dy gjëra njëkohësisht: t’i qetësojnë tregjet dhe ta paraqesin luftën si sukses.

 

Deklaratat se lufta mund të përfundojë “së shpejti”, tha ai, mund të ndihmojnë në qetësimin e investitorëve dhe tregjeve të energjisë.

 

Në të njëjtën kohë, Poast theksoi se retorika e administratës për qëllimet e saj duket se ka ndryshuar.

 

Referencat e hershme për ndryshim regjimi ose për ta parandaluar përgjithmonë Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore po zëvendësohen gjithnjë e më shumë nga synime më të kufizuara, si shkatërrimi i kapaciteteve të raketave dhe forcave detare.

 

Sipas Poast, ky rregullim mund t’i lejojë administratës të argumentojë se misioni është përmbushur edhe nëse udhëheqja politike e Iranit mbetet në pushtet.

 

Debati në Kongres po rritet


Derisa Shtëpia e Bardhë thekson përparim ushtarak, lufta ka nxitur një debat politik gjithnjë e më të madh në Capitol Hill.

 

Një grup senatorësh demokratë është zotuar të përdorë mjete procedurale për të ngadalësuar punën e Senatit derisa zyrtarë të lartë të administratës të dëshmojnë nën betim për konfliktin.

 

Demokrati Cory Booker nga Nju Xhersi tha më 9 mars se ligjvënësit duan seanca me sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth para komiteteve kryesore të Senatit për të shpjeguar strategjinë e administratës, kohëzgjatjen e pritshme të fushatës dhe koston e saj.

 

Senatorë demokratë, përfshirë Chris Murphy nga Kenetiket, Tim Kaine nga Virxhinia, Tammy Duckworth nga Illinois, Adam Schiff nga Kalifornia dhe Tammy Baldëin nga Viskonsin, kanë paraqitur disa rezoluta që kërkojnë ndalimin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt sipas Aktit të Fuqive të Luftës, i cili kërkon miratimin e Kongresit për angazhime të zgjatura ushtarake.

 

Në sallën e Senatit, Dick Durbin nga Illinois paralajmëroi se konflikti rrezikon të përsërisë gabimet e Luftës së Irakut, duke argumentuar se administrata ka ofruar arsye të ndryshueshme për veprimin ushtarak dhe i mungon një strategji e qartë afatgjatë.

 

Republikanët rreshtohen pas presidentit Trump


Megjithatë, shumë republikanë e kanë mbrojtur fuqishëm vendimin e Trump për ta nisur fushatën.

 

Në një fjalim në Senat, republikani Roger Wicker nga Misisipi, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, argumentoi se kritikët po e vënë në dyshim padrejtësisht vendimin e Trumpit për ta goditur Iranin dhe po vendosin kufij arbitrarë për fushatën ushtarake.

 

“Me sa duket, nëse kjo luftë zgjat edhe pesë javë, ne duhet të pajtohemi që të palosim tendat tona, të kthehemi në shtëpi dhe ta lëmë punën të papërfunduar”, tha Wicker.

 

Republikani nga Misisipi tha se administrata i ka përshkruar qartë synimet e saj: shkatërrimin e kapaciteteve të raketave të Iranit, eliminimin e aftësisë së tij për të prodhuar raketa, neutralizimin e forcave detare që përdoren për të mbështetur grupe militante dhe parandalimin e Teheranit nga sigurimi i armëve bërthamore.

 

Wicker gjithashtu përmendi atë që e përshkroi si përparim të hershëm në fushatë, duke thënë se mbrojtja ajrore dhe sistemet e raketave të Iranit janë dëmtuar rëndë dhe se forcat detare iraniane janë përzënë nga Gjiri i Omanit.

 

Sulmet ajrore, tha ai, ka mundësi të vazhdojnë “me javë, jo me ditë” derisa këto synime të arrihen.

 

“Kjo nuk duhet të jetë luftë e përhershme”, tha Wicker. “Nuk është ushtrim pa kurrfarë synimi në Lindjen e Mesme”.

 

Çfarë mund të ndodhë tutje?


Disa tregues në ditët e ardhshme mund të ndihmojnë për të përcaktuar nëse konflikti po shkon vërtet drejt përfundimit apo po hyn në një fazë të re, sipas ndihmësve të senatorëve republikanë dhe demokratë që folën për REL-in në kushte anonimiteti.

 

Një nga shenjat e rëndësishme do të jetë ritmi operacional i luftimeve. Një ngadalësim i sulmeve ajrore të SHBA-së ose një rënie në numrin e dronëve iranianë që kapen, mund të sugjerojë se Uashingtoni beson se synimet e tij kryesore ushtarake janë arritur në masë të madhe.

 

Një faktor tjetër do të jetë reagimi i Iranit. Sulmet e vazhdueshme me raketa ose dronë nga Irani ose aleatët e tij rajonalë do të tregonin se Teherani ende ruan aftësinë dhe vullnetin për ta vazhduar luftën, mbase duke e zgjatur konfliktin pavarësisht pretendimeve të Uashingtonit për sukses në fushën e betejës.

 

Së fundi, analistët thonë se qëndrueshmëria e infrastrukturës ushtarake të Iranit do të vëzhgohet nga afër. Nëse sulmet amerikane kanë dobësuar ndjeshëm prodhimin e raketave të Iranit, asetet detare dhe mbrojtjen ajrore – synime të theksuara nga senatori Wicker – administrata mund të argumentojë se qëllimet e saj kryesore të sigurisë janë përmbushur pa një fushatë të zgjatur.

 

Një pyetje e ndërlidhur është nëse Uashingtoni do të ruajë shtrirjen e kufizuar që ish-zyrtari i sigurisë kombëtare në administratën Trump, Gray, e përshkroi si thelbësore për strategjinë.

 

Nëse operacionet amerikane mbeten të përqendruara në sulme të synuara dhe jo në përshkallëzim më të gjerë apo vendosje forcash tokësore, kjo do të përforconte argumentin e administratës se veprimi ushtarak i shkurtër dhe i përqendruar mund të arrijë objektiva strategjikë pa u shndërruar në një përballje shumë më të zgjatur./REL

XS
SM
MD
LG