Trump: ShBA-ja po ballafaqohet me Iranin për të mbrojtur Izraelin
Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se ShBA-ja po përballet me Iranin për të mbrojtur Izraelin, Lindjen e Mesme dhe vendet perëndimore nga sulme të mundshme.
"Po e bëjmë këtë për të ndihmuar Lindjen e Mesme. Po e bëjmë për të ndihmuar Izraelin. Po e bëjmë për të ndihmuar veten tonë sepse pasi ata të shkatërrojnë Izraelin, gjë që do ta kishin bërë me shumë kënaqësi dhe më pas Lindjen e Mesme, atëherë ata do të vijnë pas Evropës dhe do të vijnë pas disa prej qyteteve tona", tha Trump.
Ai theksoi se ShBA-ja "po shkon shumë mirë me Iranin". Më parë, Trumpi siguroi publikun izraelit për përshkallëzimin e fundit me Teheranin.
"Izraeli nuk duhet të shqetësohet. E dini pse? Sepse unë jam presidenti dhe do të kujdesem për Izraelin", tha Trump për transmetuesin izraelit KAN. Komentet u bënë mes një përshkallëzimi të ri që i dha fund një qetësie afërsisht njëmujore në luftime.
ShBA-ja goditi raketahedhësit në ishullin Larak në Iran gjatë fundjavës. Teherani u përgjigj duke lëshuar raketa në Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Deklaratat përputhen me një model më të gjerë të Trumpit që pohon publikisht përgjegjësinë personale për sigurinë e Izraelit. Ai e ka paraqitur mbështetjen e ShBA-së për Tel-Avivin si një garanci personale dhe jo si një aleancë të përhershme.
"Pa mua, nuk do të kishte Izrael", tha ai.