Mbi 230 ish-zyrtarë holandezë kërkojnë masa më të ashpra ndaj Izraelit
Më shumë se 230 ish-zyrtarë holandezë i kërkuan sot Holandës të ndërmarrë masa më të ashpra ndaj Izraelit për veprimet e tij në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Transmetuesi publik holandez NOS raportoi se nënshkruesit, mes të cilëve ish-ministra, ambasadorë, diplomatë dhe nëpunës civilë, bënë thirrje për embargo gjithëpërfshirëse të armëve dhe pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
Në një letër drejtuar qeverisë, ata thanë se masat e ndërmarra deri më tani, përfshirë ndalimin e produkteve nga vendbanimet e paligjshme izraelite, ishin të pamjaftueshme duke e pasur parasysh situatën në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Grupi tha se Holanda duhet të miratojë masa “që janë proporcionale me seriozitetin dhe përmasat e shkeljeve në fjalë”.
Mes nënshkruesve janë ish-politikanët Job Cohen, Jozias van Aartsen, Jan Pronk dhe Ahmed Aboutaleb si dhe ish-diplomatja Angelique Eijpe.
Ata bënë thirrje për hetimin e përfshirjes së mundshme në krime ndërkombëtare të shtetasve holandezë dhe izraelitë me banim në Holandë, të cilët kanë shërbyer në ushtrinë izraelite.
Qeveria holandeze ka thënë se preferon të ndërmarrë masa ndaj Izraelit në kuadër të një kornize evropiane.
Letra pason thirrje të mëparshme të ish-zyrtarëve holandezë për masa më të ashpra ndaj Izraelit, përfshirë thirrjet në mars dhe shtator.
Më 22 gusht, afro 100 ish-ambasadorë francezë dhe britanikë publikuan një deklaratë të përbashkët, duke u bërë thirrje qeverive të tyre të veprojnë së bashku për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare në Palestinë.