Hormuzi drejt paralizimit, nafta mbi 100 dollarë/ Trump kërcënon Iranin me konfiskimin e aseteve
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit po godasin rëndë transportin ndërkombëtar të naftës, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se dëmet ndaj anijeve tregtare do të paguhen me asetet iraniane që ndodhen nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara. Të dhënat e gjurmimit detar tregojnë se të enjten vetëm një tanker kaloi përmes ngushticës, niveli më i ulët që prej 7 majit, ndërsa asnjë anije nuk hyri në këtë korridor strategjik. Një ditë më parë kishin kaluar vetëm tre cisterna. Paralizimi i trafikut ka çuar sërish çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi.
Në këtë situatë, Trump paralajmëroi se çdo dëm i shkaktuar ndaj anijeve, ngarkesave apo infrastrukturës së tyre do të kompensohet duke përdorur fondet dhe asetet iraniane të kontrolluara nga Uashingtoni. Teherani reagoi ashpër, duke e cilësuar këtë ide një precedent të rrezikshëm që mund të cenojë sigurinë e aseteve shtetërore në mbarë botën.
CENTCOM njoftoi ndërkohë se ka përfunduar natën e 13-të radhazi të sulmeve ndaj Iranit, duke goditur qendra komanduese, depo dronësh, sisteme komunikimi dhe kapacitete detare. Ushtria amerikane këmbëngul se Ngushtica e Hormuzit mbetet zyrtarisht e hapur, por rënia drastike e kalimeve tregon se kompanitë e transportit po shmangin zonën për shkak të rrezikut.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, pasi nëpër të kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit global. Çdo ndërprerje e zgjatur rrezikon të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve, vonesa në furnizime dhe goditje të reja për ekonominë botërore.