Trump trondit tregtinë botërore, hyjnë në fuqi tarifat e reja për dhjetëra vende
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur një valë të re tarifash mbi importet nga 60 partnerë tregtarë, vetëm pak orë pasi skadoi tarifa e përkohshme globale prej 10%. Masat e reja hynë në fuqi të premten dhe vendosin tarifa 10% dhe 12.5% mbi mallrat që importohen në SHBA. Tarifat prekin pothuajse 99.4% të importeve amerikane dhe përfshijnë Bashkimin Evropian, Kinën, Kanadanë, Meksikën, Japoninë, Indinë, Britaninë e Madhe, Australinë dhe dhjetëra vende të tjera. Megjithatë, disa kategori mallrash, si nafta, gazi, plehrat kimike, produkte të caktuara ushqimore dhe mallrat që tashmë mbulohen nga tarifat e sigurisë kombëtare, janë përjashtuar.
Shtëpia e Bardhë e bazoi vendimin në Nenin 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, duke argumentuar se shumë vende nuk kanë ndaluar ose nuk zbatojnë në mënyrë efektive ndalimin e importeve të prodhuara me punë të detyruar. Sipas Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR), vendet që kanë ndërmarrë hapa për ndalimin e këtyre importeve do të përballen me tarifën 10%, ndërsa të tjerat me 12.5%.
Ky është përpjekja më e fundit e Trump për të ruajtur politikën e tarifave globale pasi Gjykata Supreme, në muajin shkurt, rrëzoi tarifat e mëparshme të vendosura mbi bazën e ligjit për emergjencat kombëtare, duke argumentuar se presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij dhe se vendosja e tarifave të përgjithshme është kompetencë e Kongresit.
Pas atij vendimi, administrata përdori fillimisht Nenin 122 të Aktit të Tregtisë për të vendosur një tarifë të përkohshme globale 10%, e cila skadoi më 24 korrik. Tani ajo ka kaluar te mekanizmi i Nenit 301, me synimin për ta bërë regjimin tarifor më të mbrojtshëm ligjërisht. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe ky model pritet të përballet me sfida të reja në gjykatë.
Ekonomistët mbeten të ndarë për efektet e tarifave. Rezerva Federale e Nju Jorkut ka vlerësuar se rreth 90% e kostos së tarifave përfundon te konsumatorët dhe bizneset amerikane, ndërsa një sondazh i Harris Poll tregoi se 72% e amerikanëve, përfshirë 64% të votuesve republikanë, besojnë se tarifat kanë ndikuar negativisht te konsumatorët.
Administrata Trump, nga ana tjetër, këmbëngul se tarifat janë të domosdoshme për të mbrojtur industrinë amerikane, për të rikthyer prodhimin në SHBA dhe për të luftuar praktikat e padrejta tregtare dhe përdorimin e punës së detyruar në zinxhirët globalë të furnizimit.