Lidhje


Panik në tregjet globale! Sulmi ndaj anijes saudite ndez alarmin për naftën

Një cisternë nafte saudite është goditur në Detin e Kuq, duke ngritur shqetësime për sigurinë e një prej rrugëve më të rëndësishme të tregtisë botërore. Sensorët satelitorë të NASA-s regjistruan flakët në anijen Encelia, ndërsa autoritetet saudite konfirmuan sulmin dhe njoftuan se i gjithë ekuipazhi është shpëtuar.

 

Përgjegjësinë për sulmin e morën rebelët Houthi në Jemen. Zëdhënësi i tyre ushtarak, Yahya Sare’e, deklaroi se janë sulmuar dy anije saudite, Encelia dhe Layla, duke paralajmëruar se operacionet kundër Arabisë Saudite do të vazhdojnë.

 

Sulmi vjen vetëm tre ditë pasi Houthit shpallën embargo detare ndaj Arabisë Saudite. Pas këtij njoftimi, disa cisterna saudite ndryshuan itinerarin për arsye sigurie.

 

Pas sulmit, çmimi i naftës Brent u rrit mbi 95 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej më shumë se 30% gjatë muajit korrik.

 

Arabia Saudite kishte zhvendosur pjesën më të madhe të eksporteve të saj të naftës drejt portit Yanbu, në Detin e Kuq, për të shmangur kalimin në Ngushticën e Hormuzit. Por të gjitha anijet që nisen nga Yanbu duhet të kalojnë përmes Bab el-Mandeb, një pikë strategjike që tani konsiderohet shumë e rrezikuar.

 

Përmes kësaj ngushtice kalojnë çdo ditë rreth 6.2 milionë fuçi naftë, si dhe 12-15% e tregtisë botërore dhe rreth 30% e trafikut global të kontejnerëve. Nëse rruga bëhet e pasigurt, anijet detyrohen të kalojnë përreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë, duke shtuar ndjeshëm kohën dhe kostot e transportit.

 

Ekspertët paralajmërojnë se edhe sulmet sporadike mund të mjaftojnë që kompanitë detare të shmangin këtë korridor, duke rritur kostot e sigurimit dhe të transportit.

 

Në zonën e Bab el-Mandeb ndodhen baza ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Francës, Japonisë, Italisë dhe Kinës, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon misionin detar Aspides, i cili është zgjatur deri në vitin 2027 për mbrojtjen e anijeve tregtare.

 

Sipas analistëve, sulmi ndaj cisternës saudite tregon se pas tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, tani edhe Deti i Kuq është kthyer në një pikë të re rreziku për furnizimin global me naftë dhe për tregtinë ndërkombëtare./

XS
SM
MD
LG