Alarm në Detin e Kuq: BE u kërkon anijeve të shmangin Bab al-Mandebin
Misioni detar i Bashkimit Evropian, ASPIDES, u ka rekomanduar anijeve të lidhura me Izraelin, Shtetet e Bashkuara ose Arabinë Saudite që të shmangin përkohësisht Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, pas kërcënimit të Huthëve për bllokimin e lundrimit saudit në ngushticën strategjike të Bab al-Mandebit. Niveli i rrezikut për këto anije është vlerësuar “i lartë”.
Paralajmërimi përfshin edhe anijet e vendeve të tjera që kanë ndaluar ose kanë transportuar mallra nga portet saudite, pasi ato mund të konsiderohen nga Huthët si të lidhura me interesat e Riadit. ASPIDES u ka kërkuar operatorëve të marrin masa të shtuara sigurie dhe të kufizojnë gjurmën elektronike të anijeve gjatë lundrimit pranë Jemenit.
Vetëm kërcënimi për bllokadë ka bërë që disa cisterna dhe anije tregtare të ndryshojnë itinerarin ose të ndërpresin udhëtimin drejt Bab al-Mandebit. Të paktën disa anije që transportonin naftë saudite drejt Kinës dhe Indisë janë kthyer mbrapsht ose kanë pritur udhëzime të reja.
Një bllokim efektiv i Bab al-Mandebit do të hapte një tjetër front në konfliktin rajonal dhe do të rrezikonte një nga korridoret kryesore të tregtisë botërore. Me Ngushticën e Hormuzit gjithashtu nën presion, ndërprerja e rrugës së Detit të Kuq mund të godiste eksportet saudite të naftës drejt Evropës dhe të rriste më tej kostot e transportit dhe të energjisë.