Lidhje


Trump hap derën e uraniumit për Arabinë Saudite, frikë për një garë të re bërthamore

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një marrëveshje bërthamore 30-vjeçare me Arabinë Saudite, e cila mund t’i lejojë mbretërisë të zhvillojë kapacitete për pasurimin e uraniumit në kuadër të një programi civil. Marrëveshja, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, parashikon përfshirjen e kompanive amerikane dhe mundësinë e ndërtimit të një impianti pasurimi pas një studimi të përbashkët.

 

Propozimi pritet t’i dërgohet Kongresit, ku mund të hasë kundërshtime të forta. Ligjvënës dhe ekspertë të mospërhapjes bërthamore paralajmërojnë se zotërimi i teknologjisë së pasurimit, edhe kur përdoret për qëllime paqësore, mund t’i krijojë Riadit bazën teknike për zhvillimin e armëve bërthamore në të ardhmen.

 

Shqetësimet shtohen pasi marrëveshja nuk pritet të përfshijë protokollin shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili do të mundësonte kontrolle dhe inspektime më të thelluara. Vendimi vjen ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli po luftojnë kundër Iranit, duke argumentuar se synojnë të eliminojnë aftësinë e Teheranit për të prodhuar armë bërthamore.

 

Arabia Saudite ka forcuar ndërkohë bashkëpunimin ushtarak me Pakistanin, një fuqi bërthamore, ndërsa zyrtarë pakistanezë kanë deklaruar se arsenali i tyre mund të vihet në dispozicion të Riadit në rast nevoje. Marrëveshja amerikano-saudite rrezikon kështu të ndryshojë ekuilibrat strategjikë dhe të nxisë një garë të re bërthamore në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG