Netanyahu nuk arrestohet dot në Nju Jork, Mamdani sfidon Trumpin: Ta ndalojë qeveria federale
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, deklaroi se bashkia nuk ka autoritet të pavarur ligjor për të arrestuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, nëse ai viziton qytetin. Sipas tij, administrata ka shqyrtuar të gjitha mundësitë për zbatimin e urdhër-arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por një veprim i tillë mund të ndërmerret vetëm nga qeveria federale.
Mamdani i bëri thirrje Uashingtonit që të bashkëpunojë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe të ekzekutojë urdhrin ndaj Netanyahut. Presidenti Donald Trump reagoi duke deklaruar se kryeministri izraelit nuk do të arrestohet “në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë”.
Përplasja vjen ndërsa Netanyahu pritet të vizitojë Nju Jorkun për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përfaqësuesi izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, akuzoi Mamdanin se po përhap “propagandën e Hamasit” në vend që të merret me drejtimin e qytetit.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi në vitin 2024 urdhër-arrest ndaj Netanyahut për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli i mohon akuzat, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Statutit të Romës dhe nuk kanë detyrim ligjor për zbatimin e urdhrave të gjykatës.