Lidhje


Dy vite më parë, Erdoğan ngrinte akuzën e fortë: Grushti i shtetit lidhej me mbështetjen e Turqisë për Palestinën

 

Në një deklaratë të bërë më 17 korrik 2024 të cilën po e rikthejmë sot në vëmendje, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se tentativa e dështuar për grusht shteti e 15 korrikut 2016 synonte rrëzimin e qeverisë së zgjedhur, pasi Turqia kishte forcuar mbështetjen e saj për kauzën palestineze. Duke folur në Ankara, në ceremoninë për 8-vjetorin e tentativës për grusht shteti, Erdoğan deklaroi se qëndrimi i qeverisë së tij ndaj Palestinës kishte shqetësuar atë që ai e përshkroi si “lobin global sionist” dhe rrjetet e ndikimit brenda vendit.

 

Presidenti turk iu referua edhe përplasjes së tij me presidentin e atëhershëm izraelit Shimon Peres në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, në vitin 2009. Sipas Erdoğan, momenti i njohur si “Një minutë”, kur ai kundërshtoi publikisht operacionet izraelite në Gaza, shënoi një pikë kthese.

 

“Shkëndija e 15 korrikut u ndez menjëherë pas qëndrimit tonë në Davos”, deklaronte Erdoğan dy vite më parë, duke e lidhur tentativën për grusht shteti me politikën e jashtme gjithnjë e më të pavarur të Turqisë.

 

Tentativa e 15 korrikut 2016, për të cilën autoritetet turke bëjnë përgjegjëse organizatën FETO, la 252 persona të vrarë dhe 2.734 të plagosur. Në atë kohë, Ankaraja akuzonte Fetullah Gülenin, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara, si organizator të grushtit të shtetit dhe kërkonte ekstradimin e tij.

 

Në fjalimin e korrikut 2024, Erdoğan theksonte se dhimbja dhe zemërimi për ngjarjet e asaj nate mbeteshin të freskëta dhe se lufta kundër strukturave të FETO-s do të vazhdonte me të njëjtën vendosmëri.

 

Turqia e shënon çdo vit 15 korrikun si Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, në nderim të qytetarëve që humbën jetën duke kundërshtuar puçistët.

XS
SM
MD
LG