Paqe, naftë dhe 300 miliardë dollarë: Zbardhet memorandumi SHBA-Iran që trondit Lindjen e Mesme
Memorandumi i ri mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të shënojë një kthesë të madhe në konfliktin që ka tronditur Lindjen e Mesme. Sipas raportimeve ndërkombëtare dhe detajeve të publikuara nga Al Arabiya, dokumenti parashikon ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve.
Memorandumi, sipas këtyre raportimeve, përfshin zotimin e palëve për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës, si dhe për t’u përmbajtur nga kërcënimi apo përdorimi i forcës. Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me Ngushticën e Hormuzit, arterien strategjike të tregtisë botërore të naftës. SHBA pritet të heqë bllokadën detare dhe të mos pengojë lundrimin drejt Iranit, ndërsa Teherani do të marrë masa për rikthimin e transportit tregtar në nivelet e para luftës, përfshirë heqjen e pengesave teknike dhe neutralizimin e minave.
Në planin ekonomik, dokumenti parashikon lehtësime të mëdha për Iranin. Sipas raportimeve, Uashingtoni do të lëshojë përjashtime për eksportet iraniane të naftës bruto, produkteve petrokimike dhe shërbimeve të lidhura me to, përfshirë bankat, sigurimet dhe transportin. Po ashtu, në kuadër të marrëveshjes përfundimtare, parashikohet një proces për heqjen graduale të sanksioneve dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira.
Një nga pikat më të bujshme është plani për rindërtimin dhe zhvillimin e ekonomisë iraniane, me një fond që raportohet të arrijë të paktën 300 miliardë dollarë. Burime ndërkombëtare kanë raportuar se ky fond do të jetë i lidhur me një marrëveshje përfundimtare dhe me kushte të qarta politike, bërthamore dhe sigurie.
Në çështjen bërthamore, Irani përsërit se nuk do të prodhojë armë bërthamore, ndërsa fati i materialeve të pasuruara dhe çështjet e tjera të programit bërthamor do të trajtohen në negociatat përfundimtare. Deri atëherë, palët pritet të ruajnë status quo-në: Irani nuk do të zgjerojë programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të shtojë praninë ushtarake në rajon.
Megjithatë, marrëveshja mbetet politikisht e ndjeshme dhe e kontestuar. Disa media theksojnë se shumë prej pikave kryesore janë ende pjesë e një kuadri paraprak dhe jo të një marrëveshjeje përfundimtare. Po ashtu, mbetet e paqartë se si do të garantohet zbatimi i saj, çfarë roli do të kenë aleatët rajonalë të SHBA-së dhe nëse Izraeli apo aktorët e tjerë të përfshirë në konflikt do ta respektojnë plotësisht armëpushimin.
Nëse konfirmohet dhe zbatohet, memorandumi do të përfaqësonte një nga marrëveshjet më të rëndësishme të viteve të fundit në Lindjen e Mesme: një pakt që lidh fundin e luftës, hapjen e Hormuzit, rikthimin e naftës iraniane në treg, lehtësimin e sanksioneve dhe negociatat për dosjen bërthamore në një paketë të vetme diplomatike.a