Lidhje


Marshimi drejt Rinasit - Gent Progni përjashtohet nga grupi organizator i protestes

 

Pas incidentit të mbremjes së të dielës kur një grup i protestuesve u nisën në autostradën Tiranë-Durrës drejt aeroportit të Rinasit në këmbë, grupi organizator ka vendosur të përjashtojë Gent Prognin, një nga pjesëtarët, si përgjegjësin e kësaj lëvizjeje të protestuesve.

 

Kjo ngjarje është pasqyruar gjerësish në media dhe ka shkaktuar shumë debat në opinionin publik duke hedhur dyshime për përçarje të protestës. Vetë protestuesit që kanë qenë pjesë e marrshimit në drejtim të Rinasit e kanë denoncuar këtë lëvizje. Edhe pjesëtarë të tjerë të grupit organizator kanë reaguar në rrjetet sociale duke u distancuar nga ky veprim.

 

Përveç se lodhje të madhe fizike, ku protestuesit kanë udhëtuar për mbi 4 orë në këmbë dhe përballjes me Policinë e Shtetit në afërsi të aeroportit “Nënë Tereza”, kjo lëvizje ka sjellë dhe keqkuptim mes protestuesve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit organizator, e cila ka ardhur vetëm nga vendimi presonal i Prognit.

 

 

Kjo lëvizje e tij ka qenë në kundërshtim të hapur me vendimin që ishte marrë në mbledhjen e grupit organizator për të mos marshuar në autostradë në drejtim të Rinasit.

 

Por, në tubimin para Kryeministrisë, Progni ka lajmëruar qytetarët që “të marrin ujë me vete pasi marshimi do të jetë i gjatë”.

 

Më pas, në përfundim të fjalimeve, kur tubimi i protestueve bëhet gati për nisjen e zakonshme në marshim, Progni ka dalë me shpejtësi me makinë në krye të turmës, për ta drejtuar atë më pas në këmbë drejt autostradës jashtë kryeqytetit e më pas në drejtim të aeroportit.

 

 

E ndërkaq, ndërsa protestuesit i janë afruar aeroportit duke u gjendur përballë efektivëve të Policisë së Shtetit që bllokuan marshimin e tyre më tej, Gent Progni është larguar sërish me makinë drejt Tiranës, duke e lënë turmën pa orientim përballë policisë dhe pa përgjegjës për vendimin e marshimit drejt aeropotit.

 

Kjo shkelje e hapur e vendimit kolegjial ka qenë arsyeja pse grupi organizator i protestës ka vendosur ta përjashtojë Prognin. Veprimi në kundërshtim me vendimin e marrë nga organizatorët, ka goditur në opinionin publik imazhin e protestës duke krijuar përshtypjen e përçarjes. Megjthatë kanë qenë vetë protestuesit, të cilët e kanë denoncuar të parët këtë marshim të lodhshëm dhe të pashpjegueshëm në drejtim të aeroportit. Nuk kanë munguar as komentet e shumta në rrjete sociale që gjithashtu kanë denoncuar këtë veprim të tij. Tashmë Gent Prognit, i përjashtuar nga grupi organizator, i mbetet të shpjegojë pozicionin e vet në lidhje me protestën dhe marshimin në drejtim të Rinasit.

 

 

XS
SM
MD
LG