Shqiperia, “Palestina e dytë”? - Dokumenti i Vjenës dhe frika se vendi mund të kolonizohej nga hebre.njtë
Në arkivat e diplomacisë shqiptare të viteve ’30 gjendet një dokument që, edhe sot, të godet me ashpërsinë e gjuhës dhe me frikën e madhe që mbart brenda. Konsullata shqiptare në Vjenë i shkruante Ministrisë së Jashtme në Tiranë për përpjekjet e qarqeve të emigrantëve hebrenj të Gjermanisë për të vendosur disa mijëra njerëz në Shqipëri.
Në atë kohë, Evropa po hynte në errësirën e madhe naziste, hebrenjtë po përndiqeshin, ndërsa Shqipëria e vogël shihej nga disa qarqe ndërkombëtare si një hapësirë e mundshme strehimi, vendosjeje dhe zhvillimi ekonomik.
Por toni i dokumentit nuk është thjesht humanitar. Është i mbushur me alarm politik. Përfaqësia shqiptare në Vjenë nuk e sheh çështjen vetëm si ardhje refugjatësh, por si rrezik kolonizimi.
Në logjikën e saj, Shqipëria nuk duhej të kthehej në territor eksperimental për projekte demografike të huaja. Nuk duhej të bëhej vend ku një popullsi e jashtme, me kapital, rrjete tregtare dhe mbështetje ndërkombëtare, të hynte gradualisht në ekonomi, në tokë dhe në jetën publike, duke ndryshuar ekuilibrat e një shteti të varfër e të brishtë.
Fraza më e rëndë dhe më shpërthyese është ajo ku thuhet se “Shqipëria nuk mund të bëhet Palestina e dytë”. Kjo fjali nuk duhet lexuar vetëm si paragjykim i kohës, por edhe si frikë e një shteti të vogël se mund të kthehej në tokë zëvendësuese për një projekt që nuk ishte i tij.
Në mendjen e autorit të dokumentit, rreziku nuk ishte thjesht ardhja e disa mijëra njerëzve, por mundësia që Shqipëria të humbiste kontrollin mbi territorin, ekonominë dhe fatin e saj.
Në këtë pikë dokumenti merr një peshë që shkon përtej viteve ’30. Ai flet për një dilemë që Shqipëria e ka pasur shpesh: deri ku shkon mikpritja dhe ku fillon dorëzimi i territorit? Deri ku shkon investimi i huaj dhe ku fillon kolonizimi ekonomik?
Deri ku shkon nevoja për kapital dhe ku fillon humbja e sovranitetit? Këto janë pyetje që atëherë lidheshin me emigrantët hebrenj të Evropës, ndërsa sot mund të lexohen në çdo projekt ku toka shqiptare, bregdeti, ishujt, lagunat apo zonat e mbrojtura kalojnë nën kontrollin e interesave të huaja.
Dokumenti i Vjenës dëshmon një gjë: diplomacia shqiptare e asaj kohe kishte frikë nga kthimi i Shqipërisë në një hapësirë pa mbrojtje përballë projekteve të mëdha ndërkombëtare.
Ajo druhej se pas fjalëve të bukura për kapital, zhvillim, industri dhe tregti mund të fshihej një proces më i thellë: marrja e tokës, ndikimi ekonomik dhe zhvendosja e qendrës së vendimmarrjes jashtë Shqipërisë.
Prandaj ky dokument është një paralajmërim i vjetër për një problem që rikthehet me forma të reja. Sot flitet për resorte, investitorë strategjikë, porte, ishuj, marina dhe zona të mbrojtura.
Fjalori ka ndryshuar, aktorët kanë ndryshuar, kostumet janë bërë më moderne, por pyetja mbetet po ajo: a është Shqipëria zot në tokën e vet, apo thjesht truall i hapur për projektet e të tjerëve?