Alarm për Tajvanin: një luftë SHBA-Kinë mund të çojë deri në përshkallëzim bërthamor
Një konflikt mes SHBA-së dhe Kinës për Tajvanin mund të rrezikojë përshkallëzim deri në nivel bërthamor, paralajmëron Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, IISS, në një vlerësim strategjik të publikuar përpara Dialogut Shangri-La në Singapor.
Sipas raportit, në rast lufte për Tajvanin, të dyja palët mund të ndërmarrin operacione të gjera ushtarake, duke synuar jo vetëm forcat në terren, por edhe qendrat e komandës, komunikimit, inteligjencës dhe mbikëqyrjes së kundërshtarit. IISS paralajmëron se aktualisht ka pak prova publike që SHBA dhe Kina kanë “rregulla të qarta sigurie” për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti të tillë.
Raporti thekson se bota po i afrohet një gare të re armësh bërthamore, me rajonin e Azi-Paqësorit në qendër. Kina po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor, ndërsa Pentagoni parashikon se Pekini mund të arrijë në 1,000 koka bërthamore deri në vitin 2030.
Tajvani, konflikti në Iran dhe pasiguritë mbi angazhimin amerikan në Azi pritet të jenë temat kryesore në Dialogun Shangri-La, ku do të marrë pjesë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Në sfond mbetet tensioni i lartë mes Pekinit dhe Taipeit, ndërsa Kina nuk ka përjashtuar kurrë përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e ishullit.