Netanyahu jashtë loje? Izraeli pranon se s’po ndikon dot te Trump për Iranin
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka thënë njerëzve të afërt se Izraeli ka shumë pak hapësirë për të ndikuar në vendimmarrjen e Donald Trump, ndërsa SHBA-ja po negocion me Iranin për një marrëveshje që mund të ndalë luftën gati tremujore.
Sipas burimeve izraelite të cituara nga Reuters, Tel Avivi është lënë kryesisht jashtë bisedimeve, të cilat po zhvillohen në mënyrë indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit. Marrëveshja paraprake parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, në këmbim të heqjes së bllokadës detare amerikane, ndërsa çështja bërthamore do të trajtohej në negociata të mëvonshme.
Netanyahu është i shqetësuar se një marrëveshje e tillë nuk adreson menjëherë programin bërthamor iranian dhe mund të kufizojë lirinë e Izraelit për të vazhduar operacionet ushtarake, sidomos në Libanin jugor kundër Hezbollahut. Megjithatë, sipas një zyrtari izraelit, ai e pranon se për momentin Izraeli “nuk ka manovër” për të ndikuar te Trump.
Trump dhe Netanyahu kanë folur të paktën tri herë gjatë javës së fundit, por presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se vendimin final do ta marrë vetë. I pyetur për bisedën me Netanyahun, Trump tha: “Ai është një njeri shumë i mirë, ai do të bëjë çfarëdo që unë dua që ai të bëjë.”