Rubio paralajmëron Iranin: Marrëveshje me SHBA-në, ose “ e zgjidhm me rrugë tjetër”
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të hënën se Shtetet e Bashkuara ose do të arrijnë një marrëveshje të mirë me Iranin, ose do të veprojnë “në një mënyrë tjetër”, duke ulur pritshmëritë për një përparim të shpejtë diplomatik në konfliktin tremujor.
Nga New Delhi, Rubio tha se Uashingtoni do t’i japë diplomacisë çdo mundësi për sukses, përpara se të shqyrtojë “alternativa”. Ai theksoi se në tryezë është një propozim i fortë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave të kufizuara në kohë për çështjen bërthamore iraniane.
Një ditë më herët, presidenti Donald Trump shkroi në Truth Social se bllokada amerikane ndaj anijeve iraniane në Hormuz do të mbetet në fuqi derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje. Ai shtoi se palët duhet “ta marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet”.
Irani nuk reagoi menjëherë zyrtarisht, por agjencia Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare, raportoi se SHBA-të ende po pengojnë disa pika të marrëveshjes së mundshme, përfshirë kërkesën e Teheranit për lirimin e fondeve të ngrira.
Ndërkohë, çmimet e naftës ranë me 6%, në nivelin më të ulët dyjavor, pas rritjes së optimizmit se Uashingtoni dhe Teherani mund t’i afrohen një marrëveshjeje që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm.
Megjithatë, mosmarrëveshjet mbeten të mëdha: programi bërthamor i Iranit, lufta Izrael-Hezbollah në Liban, heqja e sanksioneve dhe lirimi i dhjetëra miliarda dollarëve të të ardhurave iraniane të ngrira në bankat e huaja.