Trump i jep Iranit “disa ditë”: Pakistani në mes të armëpushimit, SHBA kërcënon me goditje të reja
Uashingtoni dhe Teherani kanë shkëmbyer disa herë mesazhe përmes Pakistanit lidhur me formulimin e një dokumenti të propozuar për armëpushim, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja nuk do të presë gjatë për përgjigjen e Iranit.
Sipas agjencisë iraniane Nour, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi se shkëmbimi i mesazheve është zhvilluar mbi bazën e tekstit fillestar prej 14 pikash të propozuar nga Teherani.
“Ne kemi marrë pikëpamjet e palës amerikane dhe po i shqyrtojmë ato”, tha Baghaei, gjatë vizitës së ministrit të Brendshëm të Pakistanit, Mohsen Naqvi, në Iran.
Pakistani po luan rol ndërmjetësues në bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një përpjekje për të ndalur përshkallëzimin e luftës dhe për të çuar palët drejt një dokumenti armëpushimi.
Por ndërsa kanalet diplomatike mbeten të hapura, Trump ka rritur presionin ndaj Iranit. Duke folur për gazetarët në Konektikat, presidenti amerikan tha se është i gatshëm të presë vetëm “disa ditë” për përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit të fundit amerikan.
“Më besoni, nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka mund të përshpejtohet. Ne të gjithë jemi gati”, deklaroi Trump.
I pyetur se sa gjatë do të presë administrata amerikane, ai u përgjigj se mund të bëhet fjalë për “disa ditë”, por shtoi se situata mund të ndryshojë shumë shpejt.
Më herët, gjatë ceremonisë së diplomimit në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-së, Trump paralajmëroi se Uashingtoni mund të ndërmarrë sulme të tjera nëse negociatat dështojnë.
“I goditëm shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por ndoshta jo”, tha ai, duke përsëritur se SHBA-ja nuk do të lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore.
Komentet e Trump vijnë në një moment kur Teherani konfirmon se po shqyrton propozimin amerikan të përcjellë përmes ndërmjetësve pakistanezë, ndërsa diplomacia dhe kërcënimet ushtarake po ecin paralelisht.