Xi sfidon botën nga Pekini: Trump dhe Putin i shkojnë në derë, Kina kërkon fronin global
Presidenti kinez Xi Jinping po përpiqet të projektojë Kinën si qendër të re të diplomacisë globale, pasi brenda pak ditësh priti në Pekin presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin. Ceremonitë madhështore dhe protokolli shtetëror u përdorën nga Pekini si sinjal se Kina është kthyer në një fuqi të domosdoshme në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Takimi me Putinin konfirmoi afrimin strategjik Kinë–Rusi, por edhe pabarazinë në rritje mes tyre. Rusia është gjithnjë e më e varur ekonomikisht nga Kina, ndërsa Pekini mbetet partneri kryesor tregtar dhe blerësi i madh i energjisë ruse. Megjithatë, Kina nuk dha ende miratimin për projektin e madh të gazsjellësit që Moska kërkon prej vitesh, duke treguar se Xi ndodhet në pozitë më të fortë se Putin.
Në raport me SHBA-të, Kina po përfiton nga pasiguritë e politikës së jashtme amerikane dhe tensionet globale për t’u paraqitur si një partner më i qëndrueshëm. Pas viteve të izolimit për shkak të pandemisë, Xinjiangut dhe Hong Kongut, Pekini ka rikthyer marrëdhëniet me disa aleatë tradicionalë të Uashingtonit, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe.
Megjithatë, ambicia globale e Xi ka kufij të qartë. Kina shmang kritikat e drejtpërdrejta ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, çka shton dyshimet në Evropë për rolin e saj si ndërmjetëse neutrale. Pekini kërkon të ruajë aleancën strategjike me Moskën, por njëkohësisht ka nevojë të forcojë lidhjet ekonomike me Evropën. Pikërisht kjo balancë e vështirë mbetet sfida kryesore e diplomacisë kineze.