Lidhje


NATO drejt ndërhyrjes në Hormuz? Aleanca shqyrton hapjen e rrugës detare që po trondit naftën botërore

 

NATO po diskuton mundësinë e ndihmës për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, nëse bllokada iraniane nuk hiqet deri në fillim të korrikut. Çështja pritet të jetë pjesë e diskutimeve politike përpara samitit të aleancës në Ankara më 7-8 korrik.

 

Sipas një zyrtari të lartë të NATO-s, disa vende anëtare e mbështesin idenë, por ende nuk ka unanimitet për një mision të tillë. Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, Alexis Grinkevich, tha se për çdo lëvizje fillimisht duhet përcaktuar drejtimi politik dhe më pas të nisë planifikimi formal. I pyetur nëse po e shqyrton këtë mundësi, ai u përgjigj: “Absolutisht”.

 

Një ndërhyrje e NATO-s në Hormuz do të shënonte ndryshim të rëndësishëm strategjik, pasi deri tani aleatët kanë shmangur përfshirjen direkte në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit. Disa vende, si Spanja, janë shprehur hapur kundër luftës dhe madje i kanë ndaluar SHBA-së përdorimin e hapësirës ajrore dhe bazave për sulme ndaj Iranit. Megjithatë, shumica e aleatëve kanë lejuar në heshtje mbështetje logjistike.

 

Bllokada e Hormuzit po rrit presionin ekonomik mbi Perëndimin, pasi përmes kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Mbyllja e saj ka rritur çmimet e energjisë dhe ka goditur parashikimet ekonomike, duke shtuar presionin për një reagim më të koordinuar.

 

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar aleatët evropianë për refuzimin e tyre për të ndihmuar në hapjen e ngushticës, ndërsa Uashingtoni ka njoftuar së fundmi tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania. Megjithatë, deri tani SHBA nuk ka paraqitur kërkesë zyrtare për përfshirjen e NATO-s në Hormuz.

 

Paralelisht, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po punojnë për një plan të veçantë për sigurinë e transportit detar në Hormuz pas uljes së tensioneve. Disa vende kanë vendosur tashmë asete ushtarake në rajon, në pritje të një skenari ku aleatët mund të detyrohen të garantojnë lundrimin e lirë në një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë.

XS
SM
MD
LG