Greqia kërkon ndërhyrjen e BE-së kundër Turqisë: “Po shkelin kufijtë detarë të Evropës”
Greqia i ka kërkuar Bashkimit Evropian të ndërhyjë për të ndalur atë që Athina e quan peshkim të paligjshëm dhe shkelje të ligjit detar nga peshkatarët turq në Mesdheun lindor dhe në zonat e diskutueshme të Detit Egje.
Ministri grek i Transportit Detar, Vasilis Kikilias, e ngriti çështjen gjatë një takimi në Athinë me Komisionerin Evropian për Peshkimin dhe Oqeanet, Costas Kadis. Ai akuzoi Turqinë për “sjellje provokuese”, mosrespektim të ligjit të detit dhe kundërshtim të të drejtave sovrane greke.
Kikilias theksoi se kufijtë detarë të Greqisë janë njëkohësisht edhe kufij të Evropës, ndaj sipas tij BE-ja duhet të reagojë. Athina ka vendosur zona të kufizuara peshkimi në Egje, por disa prej tyre kundërshtohen nga Turqia, e cila i konsideron jashtë juridiksionit grek.
Çështja vjen në një sfond tensionesh të vjetra mes dy aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, të cilat prej dekadash përplasen për shelfin kontinental, juridiksionin detar, të drejtat sovrane dhe zonat e peshkimit në Egje dhe Mesdheun lindor.