Lidhje


Rubio kërkon ndihmën e Kinës për Hormuzin/ Kriza me Iranin përplas SHBA-në me bllokadën që po trondit botën

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni po shpreson te një rol më aktiv i Kinës për të ndikuar mbi Iranin dhe për të zbutur krizën në Ngushticën e Hormuzit. Duke folur për “Fox News”, Rubio tha se SHBA-ja synon ta bindë Pekinin të përdorë peshën e tij politike dhe ekonomike për ta shtyrë Teheranin të tërhiqet nga veprimet që po ndërmerr në Gjirin Persik.

 

Sipas shefit të diplomacisë amerikane, Kina ka interesa të drejtpërdrejta për zgjidhjen e krizës, pasi edhe anijet kineze janë prekur nga bllokimi i lundrimit në një prej korridoreve më të rëndësishme të energjisë në botë. Rubio theksoi se ekonomia kineze, e varur fort nga eksportet, po ndien gjithashtu pasojat e tronditjes globale që ka shkaktuar paralizimi i pjesshëm i Hormuzit.

 

Deklaratat e Rubios bien në kontrast me qëndrimin e mëhershëm të presidentit Donald Trump, i cili, i pyetur nëse Xi Jinping mund të ndihmonte për çështjen e Iranit, tha se nuk mendonte se SHBA-ja kishte nevojë për ndihmë. Megjithatë, prania e Rubios në delegacionin amerikan gjatë vizitës së Trump në Kinë tregon se dosja iraniane dhe siguria e lundrimit në Hormuz janë pjesë e bisedimeve të ndjeshme me Pekinin.

 

Ngushtica e Hormuzit, arterie kyçe për tregjet globale të naftës dhe gazit, është bërë kryesisht e pakalueshme pas përshkallëzimit të luftës më 28 shkurt. Irani ka përdorur kërcënime dhe sulme ndaj cisternave e anijeve tregtare, ndërsa SHBA-ja është përgjigjur me bllokadë ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane. Kina, një nga partneret kryesore të Teheranit, ka kërkuar që në nisje të konfliktit rikthimin e lirisë së lundrimit në ngushticë.

 

XS
SM
MD
LG