Lidhje


Trump dhe Xi përballë në Pekin: samiti që mund të vendosë fatin e Iranit, Tajvanit dhe luftës teknologjike

 

Kina po përgatit një pritje të madhe për presidentin amerikan Donald Trump, me siguri të shtuar rreth Sheshit Tiananmen, bisedime zyrtare, banket dhe një ndalesë simbolike në Tempullin e Qiellit. Por përtej ceremonisë, takimi me Xi Jinping pritet të jetë një nga samitet më të rëndësishme të viteve të fundit, pasi në tryezë janë katër çështje që prekin drejtpërdrejt rendin global: Irani, Tajvani, tregtia dhe inteligjenca artificiale.


Pekini po përpiqet të luajë rolin e ndërmjetësit të kujdesshëm në luftën me Iranin, bashkë me Pakistanin, pasi kriza në Lindjen e Mesme po rëndon ekonominë kineze, çmimet e naftës dhe industrinë e saj eksportuese.

 

Kina ka interes që konflikti të mbyllet, por një ndihmë e mundshme ndaj Uashingtonit pritet të vijë me çmim politik.


Një tjetër temë shpërthyese është Tajvani. SHBA ka dhënë sinjale të përziera: nga njëra anë ka njoftuar marrëveshje armësh me Tajvanin, nga ana tjetër Trump ka lënë të kuptohet se nuk do ta garantojë pa kushte mbrojtjen e ishullit. Kina pritet të kërkojë që Uashingtoni të zbusë edhe më shumë qëndrimin ndaj pavarësisë së Tajvanit, ndërsa presioni ushtarak kinez rreth ishullit është shtuar.


Në frontin ekonomik, tregtia mbetet pika më e fortë e përplasjes. Trump kërkon më shumë blerje kineze të produkteve bujqësore amerikane, ndërsa Pekini kërkon shmangien e tarifave të reja dhe lehtësimin e presionit tregtar. Në sfond qëndron edhe beteja për mineralet e rralla, ku Kina ka një levë të jashtëzakonshme ndaj SHBA-së, pasi përpunon pjesën dërrmuese të furnizimit global.


Samiti prek edhe garën për inteligjencën artificiale, ku SHBA kontrollon çipat më të avancuar, ndërsa Kina dominon mineralet e rralla dhe po përparon në robotikë. Kjo e bën takimin jo vetëm diplomatik, por një pazar të mundshëm strategjik: çipa amerikanë kundrejt mineraleve kineze. Edhe pse vizita do të jetë e shkurtër, ajo mund të përcaktojë drejtimin e marrëdhënieve mes dy superfuqive për vitet që vijnë.

XS
SM
MD
LG