Lidhje


TikTok si “agjenci udhëtimi” për gomone: trafikantët reklamojnë në shqip rrugën ilegale drejt Anglisë

 

Sipas një raportimi të Daily Express, rrugët e paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar vijojnë të reklamohen hapur në TikTok, edhe pse autoritetet britanike kanë shtuar goditjen ndaj postimeve online që promovojnë kalimet me gomone në Kanalin Anglez.

 

Gazeta shkruan se, pas kërkimeve me terma në gjuhën shqipe si “Francë-Angli”, “rrugë angleze” apo “nisje për Angli”, janë gjetur brenda pak minutash disa llogari që promovonin udhëtime ilegale drejt Britanisë. Postimet përfshinin harta të rrugëve në Kanal, flamuj britanikë, video nga bregdeti dhe thirrje për kontakt privat.

 

Në një prej videove, një llogari me emrin @calaisdover_ shfaqte një helikopter mbi bregdet, me mbishkrimin: “Nuk ka helikopter që mund t’i ndalojë shqiptarët të ikin te mbreti”. Një tjetër llogari publikonte itinerarin Francë-Britani në Google Maps dhe u kërkonte të interesuarve të shkruanin për më shumë informacion. Në disa postime pretendohej se “nisjet bëhen çdo ditë” dhe me “çmim shumë të lirë”.

 

Raporti kujton se më herët është raportuar për banda kriminale shqiptare që reklamonin kalime drejt Anglisë për vetëm 150 paund, shumë më pak se çmimi mesatar prej rreth 2 mijë paundësh për person. Autoritetet britanike dyshojnë se disa prej këtyre ofertave mund të jenë mashtrime ndaj emigrantëve të cenueshëm, ndërsa të tjera lidhen me rrjete të organizuara të trafikut njerëzor.

 

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani, më shumë se 10 mijë postime, faqe apo llogari të lidhura me krimin e organizuar të emigracionit janë mbyllur gjatë vitit 2025. Megjithatë, kërkimi i Daily Express sugjeron se reklamat në shqip për rrugët ilegale drejt Britanisë mbeten ende të lehta për t’u gjetur në TikTok.

 

TikTok deklaron se ka ndaluar llogaritë që shkelin rregullat për trafikimin e qenieve njerëzore dhe se shumica dërrmuese e përmbajtjeve të tilla hiqen përpara se të raportohen. Ndërsa Ministria e Brendshme britanike thotë se qeveria ka kriminalizuar promovimin online të shërbimeve të emigracionit të paligjshëm dhe po punon me rrjetet sociale e NCA-në për heqjen e shpejtë të reklamave që nxisin kalime të rrezikshme me gomone.

XS
SM
MD
LG