Irani lëviz mes Pekinit dhe Islamabadit - Araghchi: Diplomaci, por gati për çdo agresion
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, zhvilloi të enjten një telefonatë me homologun pakistanez Ishaq Dar, të cilin e informoi për vizitën e tij të fundit në Kinë dhe konsultimet e zhvilluara atje për çështje rajonale dhe ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, dy kryediplomatët diskutuan zhvillimet e fundit rajonale dhe përpjekjet diplomatike për paqe e stabilitet. Araghchi falënderoi Islamabadin për ndihmën në riatdhesimin e shtetasve iranianë nga anijet e sekuestruara më parë, si dhe për mbështetjen diplomatike dhe humanitare.
Gjatë vizitës në Pekin, Araghchi i raportoi edhe ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi mbi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, përfshirë negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit me ndërmjetësimin e Pakistanit. Ai theksoi se Irani mbetet “serioz dhe i palëkundur” në diplomaci, por edhe plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo agresioni.
Tensionet janë përshkallëzuar që prej 28 shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit. Armëpushimi i 8 prillit, i ndërmjetësuar nga Pakistani, nuk solli marrëveshje të qëndrueshme, ndërsa që prej 13 prillit SHBA-ja ka vendosur bllokadë detare ndaj trafikut iranian në Ngushticën e Hormuzit.