Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri dhe përpjekjet e tij për një vilajet shqiptar

“Qëllimi i Kuvendit (Lidhja e Prizrenit) është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirtë, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri është një nga figurat qendrore të Lidhjes së Prizrenit, si dhe një nga aktivistët më të shquar të këtij organizimi politik mbarëshqiptar, që e shtriu ndikimin e Lidhjes në të gjithë Toskërinë dhe Shqipërinë e Jugut.
Në pranverë të vitit 1877, Abdyl Frashëri hyri si protagonist politik në skenën e historisë së Shqipërisë. Në këtë situatë tepër të vështirë, kur luftohej për jetë a vdekje, Abdyli hartoi platformën e re politike dhe ideologjike me synimin mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, e cila i kundërvihej platformës që përpunuan qarqet politike të Stambollit, që synonte mbrojtjen e kufijve të Turqisë në Europë. Synimi politik i platformës së Abdyl Frashërit ishte: trojet shqiptare të shpërndara në atë kohë në vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës të bashkoheshin në një vilajet të vetëm me emrin “Vilajeti i Shqipërisë” dhe, me krijimin e kushteve të favorshme për shqiptarët, synimi i mëtejshëm i kësaj platforme do të ishte: krijimi i Shtetit Autonom ose i Shtetit të Pavarur të Shqipërisë.