Kapele ose burg – Ligji i “çuditshëm” i Ahmet Zogut
Përgatiti : Samuel Laze
Ka disa kryetarë familjesh të cilët në shtëpinë tyre “bëjnë ligjin”, demonstrojnë autoritetin e tyre pranë grave, fëmijëve dhe atyre që kanë nën vete. Duan të tregojnë se janë “burra” dhe për këtë arsye nuk lejojnë t’ju vihet fjala në diskutim, ndërsa përjashta rrinë me duar të lidhura e nuk bëjnë as gëk as mëk... Të tilla janë edhe regjimet që kapriçot e komplekset e tyre i vendosin si kriter kombëtar ndërsa me të huajit –qoftë nga interesi qoftë nga frika – kalojnë në versionin “lepe-peqe”...
***
Shekulli XX shënon pikën kulminante të ndryshimeve radikale në strukturën shoqërore, mentalitetin dhe botëkuptimin shqiptar. Megjithatë, ndryshimi i rrjedhës kombëtare nuk erdhi si një rezultat i përvetësimit të natyrshëm por duke vënë në përdorim kamxhikun e politikës. Goditjet e këtij kamxhiku politik do të shpeshtoheshin (intensifikoheshin) në mënyrë të posaçme gjatë regjimit të Ahmet Zogut.
Një nga manifestimet më absurde (muhal) të rrugës së sipërpërmendur do ta shohim te Ligji i Kapeles, i cili hyri në fuqi në vitin 1937. Ky ligj ishte pjesë e vargut të “civilizimit” të kombit shqiptar, a thua sikur sekreti i zhvillimit industrial, ekonomik, teknologjik i botës së civilizuar ishte stili i veshjes së tyre, ndërsa te ne, gjoja regjimi kishte arritur ndonjë shpikje inovatore dhe i kishte dështuar plani te mungesa e kapeles me strehë apo “shapkës” siç i thoshin atëherë, apo gjoja kishte ndërtuar ndonjë raketë dhe i kishte “ngecur” te ferexheja e vajzave të reja, ndaj të cilave – siç do ta zbulojmë (iz-har) në artikuj të tjerë të veçantë – është kryer një presion i jashtëzakonshëm politik dhe psikologjik.
Figura 1 Tirana 1933
Figura 2 Tirana 1936
E ndërsa autoriteti i Mbretit rritej në popull, qoftë me kamxhik qoftë me një lug mjalti të helmuar, ndaj Italisë shtrohej rruga me trëndafila dhe pothuajse e sollën me duart e tyre deri në “dhomën e gjumit”. Emërimi i Gjeneral Leon de Ghilandi në krye të rinisë shqiptare (Kryetar i Djelmërisë Shqiptare) , një ish – ushtraku i përjashtuar nga ushtria austro-hungareze në 1913 si pasojë e veprimeve të turpshme me gratë e oficerëve – është një ngjarje që flet shumë... Me pak fjalë, edukimi me “moral të naltë kombëtar” i rinisë shqiptare u la në dorë të një imorali (sipas shetit të tij)! Gjithashtu këtij personi iu ngarkua detyra e formimit të batalioneve të Milicisë dhe në një telegram që i dërgoi Naltmadhënisë i gartantonte se do përgatiste ushtarë “ të mbytur e të dehur prej dashurisë për Mbretin të cilët jepnin jetën me një urdhër sepse Mbreti simbolizonte kombin, flamurin dhe gjithë traditat heroike shqiptare...”
***
Çfarë parashikonte Ligji i Kapeles? Në fletoren Zyrtare të datës 10 Mars 1937 bëhej e ditur që:
- Neni 5
Nënpunsit, si të Shtetit.ashtu edhe të Bashkivet dhe komunevet, detyrohen mos me përdorë tjetër mbulesë në krye veçse kapelle: kontravaltësit ndeshkohen me gjobë të randë deri në 100 fr. ari. Ne rast përsëritjeje, ndeshkimit të sipër-treguem i shtohet edhe ndalim nga ofiqet publike për nji kohe nga një deri në tre vjet.
Ndërsa si arsye që e bënin të domosdoshëm një ndërhyrje të tillë shtetërore theksohej se:
- RAPORT-JUSTIFIKUES
Si çdo komb tjetër, ashtu edhe shqyptari ka kostumin e tije Kombtar. Nder kombet e qytetnueme, mundtë thuhet se krejtësisht, vendin e kostumit Kombëtarë e ka xane, kostumi modernë qi aasht xhaket, pantallon, dhe kapele. Edhe populli Shqyptare, shpirtërisht përparimdashës në sasinë më të madhe, sidomos ndër qytete, vetvetiut ka adaptue , kostumin modernë. Mjerisht në kët rasë vlen me përmende, se për arsye të rrethanave të ndryshme shoqnore e fetare, nji pakicë e popullit, e ka adaptue kostumin modernë, me të meta, tue i prishë kështu krejt estetikën e tij, gja që bjen në sye me përshtypje të keqe, sidomos ndër të hujtë, qi admirojnë popullin t’onë për virtytet e tija të modernizmit.
Kostumi Kombtar, edhe ky ka shijen e vet, po kje se përdoret komplet.
Pra, për me thye mentalitetin e gabuem, të krijuem nga rrethanat qi u përmendën ma sypri, asht nevoje e nji inisiative të qeveris, prandaj u pa e arsyeshme, dhe u përpilue projekt ligji i bashangjitun, i cili parashef mbajtjen komplet të kostumit Kombtare dhe të kostumit moderne, si mbas dëshirës së mbajtësit.
Tiranë, me 27.03.1937 MINISTRI I P. TË BRENDSHME
Këtu dalin në pah disa pika kyç:
- propaganda se populli shqiptar e paskësh përvetësuar vetvetiu dhe ligji na qënkësh vetëm për një pakicë. Edhe nëse do të ishte kështu, meqë shteti (!) në atë kohë gjëja që promovonte më shumë ishte laiciteti, dhe meqë laiciteti nënkupton qëndrim neutral, atëherë ashtu sikurse nuk ndërhynte në zgjedhjet dhe preferencat e evropianistëve, po në të njëjtën formë, nuk duhej të ndërhynte në jetën personale të konservatorëve. Vetëm se, dëshmitë e kohës tregojnë se kjo ishte thjeshtë një fjalë stimuluese ndërsa realiteti ishte komplet tjetër.
- kapelja me strehë nuk pranohej nga populli për arsye fetare. Kjo është shumë e vërtetë pasi në atë kohë kapelja me strehë konsiderohej simbol (alamet) dhe ylemaja e Islamit e cilësonte si qyfyr vendosjen e kapeles me strehë pasi streha ishte pengesë për vendosjen e ballit në sexhde. Jo-myslimanët e përdornin masivisht dhe e kishin simbol të tyre (sikurse është edhe kryqi), ndërsa myslimanët osmanllinj mbanin qeleshe të llojeve të ndryshme ku më i përhapuri në qytete ishte fesi i kuq si pasojë e reformave të Sulltan Mahmudit II. Objektivi kryesor i Ligjit të Kapeles ishte pikërisht shkëputja nga mentaliteti dhe trashëgimia perandorake e cila lidhej drejtpërdrejtë me botëkuptimin islam.
***
Ja se çfarë parashikonte ligji për kundërvajtësit:
Projekt-ligjë
mbi
caktimin e llojit të mbulesës së kryes së meshkujve
Neni 1
Gjithë ata meshkuj Shqiptarë qi nuk mbajnë petka Kombtare dhe qeleshe vendi detyrohen me mbajtë shapkë me strehë.
Kundërvajtësit ndëshkohen me gjobë të lehtë nga pesë deri në njëqind fr. ari, dhe vendimi është i premë.
Në rast përsëritje, ndëshkimet të nalt-përmendun i shtohet burgimi i lehtë nga pesë deri tridhet ditë.
Neni 2
Ata qi me ç’do mënyrë shtyjnë ose këshillojnë të tjerët në kryemjen e kontravajtjeve të nalt-tregueme, dënohen me gjobë të lehtë nga dhetë deri në njiqind fr.ari ose edhe me burgim të lehtë nga 5 deri pesëdhjetë ditë.
Neni 3
Ministria e Drejtësis dhe ajo e P. të Mbrendshme, ngarkohen me zbatimin e kësaj ligje e cila hynë në fuqi 15 ditë mbas shpalljes në Fletoren Zyrtare
Tiranë, më 30.III. 1937
Ahmet Zogu, siç e ka shprehur edhe vetë, ishte një adhurues (admirues) i flaktë i Ataturkut dhe reformave të tij. Edhe ky ligj është pikërisht i frymëzuar nga ligji i kapeles (ŞAPKA İKTİSASI HAKKINDA KANUN) në Turqinë e vitit 1925.
(Meqë kjo është një ngjarje e përsëritur njësoj në dy shtete, atëherë do të thotë që kemi të bëjmë me një skenar, Dhe një skenar identik, pa dyshim që ka një skenarist të vetëm...)
Megjithatë -duke u nisur edhe nga rezultatet e tmerrshme që sollën reformat e Ataturkut, sidomos ligji i kapeles, prej të cilit u dënuan me varje dhe u kryen tortura nga më të ndryshmet për ata që nuk u bindën – autoritetet në Shqipëri u treguan më të kujdesshme ndaj opinionit publik, duke përgatitur fillimisht terrenin psikologjik dhe duke mos e prekur “vijën e kuqe” që mund të ndizte litarin e një reaksioni potencial. Këtë mund të vërejmë te instruksionet që Ministra e Punëve të Brendshme do t’i dërgonte Prefekturave, ku i kërkonte që në mesin e popullit mos të ndërhynte edhe nëse vendosnin kapele pa strehë, mjaftonte të ishte kapele a la franga...
“...qëllimi i caktimit të llojit mbulesë së meshkujve asht konë qi, gjithë ajo pjesë e popullit qi vishet me petka civile (a la franka) të kenë edhe shapka në krye, në mënyrë qi vesha e marrum nga vendet oksidentale të jetë plotësisht e asimilume.Por duhet dijë se shapkat janë shumë llojesh. Prej tyne ka edhe lloje pa strehë si ç’asht për shembull boneti francez pa strehë i cili përdoret në nji shkallë të gjanë në të gjithë viset oksidentale dhe gjeti. Të tilla boneta përdoren edhe në vend t’onë prej shumë qytetarësh. Nepni prandaj instruksionet e duhuna organeve përkatëse tuaj i porositë qi, në zbatimin ligjor, të kenë kujdes mos me ndalue mbajtjen e shapkave pa strehë, llojet e shapkave të njoftune janë shapkë e butë (me strehë), kapele e fortë (duro a bombe me strehë), cillinder beret me strehë e pa strehë, bonet pa strehë kaskot....”
- P. Të brendshme, Urdhër Qarkuer Prefekturavet
***
Ndërkohë, sikurse duket edhe në këtë njoftim të KMSH-së n vitin 1928, terreni psikologjik për nxjerrjen e një ligji të tillë ishte përgatitur shumë më herët:
POPULLIT MUHAMEDAN TË SHQIPNIS
Myslimanë!
Italia dal kah dalë asht tue na zaptue vatanin. Kqyrni se për dit asht tue çue zabita italian e asqer e xhephane. Ahmed Zogu ka dah me u ba i krishten për me marrë gocën Mbretit Italis për gruë. Ahmed Zogu a tue shitë vatanin te Italia për pare.
Mylimanë! Jeni tue u-sjellë keq karshi dinit e vatanit. Jeni tu i baë ysmet kaurit. Jeni tue punue për faqe të zezë. Mos e lini Italin m’u ngul në Shqipni se ka me ju prish dinin, ka me ju prish zakonet, ka me çart namuzin. Të ngulmen Italin në Shqipni dini Islam ka m’u prishë. Kqyrni qysh tash filloi me na vue kapele në krye’ nesër ka me na ardhë prifti te shpia, xhamiat ka me na i shëmbë. Mos e shisni dinin e vatanin për do pare të dreçit. Allahu e Pejgamberi ka me ju ba lanet. Bini Italis sa më shpejt se ma von ka m’u forcue boll me asqer të shum e ahere keni m’u ba pishman por s’keni me mujt me baë gja. Bini mica për faqe të bardhë.
KOMITETI MYSLIMAN